Universiteti i Ferizajt fiton dy projekte Erasmus+, reagon ndaj nismave për mbylljen e institucionit
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka bërë të ditur se është shpallur fitues i dy projekteve ndërkombëtare në kuadër të programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vlerësimit ndërkombëtar për cilësinë akademike dhe kapacitetet profesionale të institucionit.
Sipas një komunikate për media, projektet fituese janë “Forcimi i Qeverisjes dhe Kapacitetit Profesional të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” dhe “Ndërtimi i Kapaciteteve Arsimore për Përdorimin e Inteligjencës Artificiale“. Universiteti ka bërë të ditur se këto projekte fokusohen në dy nga prioritetet kryesore të zhvillimit të arsimit të lartë në Evropë: garantimin e cilësisë institucionale dhe integrimin e inteligjencës artificiale në proceset e mësimdhënies, të të nxënit dhe të zhvillimit të kapaciteteve akademike.
Në kuadër të tyre, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj do të bashkëpunojë me institucione të arsimit të lartë nga Franca, Spanja, Letonia, Portugalia, Egjipti, Jordania, Shqipëria dhe Kosova. Sipas universitetit, ky bashkëpunim do të krijojë mundësi të reja përstudentët, stafin akademik dhe zhvillimin institucional, duke zgjeruar njëkohësisht rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare.
Universiteti e ka cilësuar përzgjedhjen në këto projekte si një vlerësimtë pavarur ndërkombëtar për cilësinë e punës akademike, kapacitetet profesionale të stafit dhe besueshmërinë që, sipas tij, gëzon në rrjetin evropian dhe ndërkombëtar të arsimit të lartë.
Në të njëjtën komunikatë, universiteti ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me të ardhmen e institucionit, duke pretenduar se Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga ministri Hajrulla Çeku, po ndërmerr veprime që synojnë mbylljen e universitetit.
Sipas universitetit, është paradoksale që, ndërsa Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë po investojnë në zhvillimin e institucionit përmes projekteve Erasmus+, në nivel vendor po ndërmerren hapa që, sipas tij, rrezikojnë funksionimin e tij.
Universiteti ka vlerësuar se fitimi i këtyre projekteve dëshmon se institucioni meriton të mbështetet dhe të zhvillohet, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që vendimet për të ardhmen e tij të bazohen në standarde akademike, rezultate konkrete dhe interesin publik.
Në fund të komunikatës, Universiteti i Shkencave të Aplikuara nëFerizaj ka falënderuar Bashkimin Evropian, partnerët ndërkombëtarë, si dhe stafin akademik e administrativ për kontributin në këtë sukses, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e universitetit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.



