Komuna e Hanit të Elezit kërkon financimin e Universitetit të Ferizajt: Arsimi i lartë nuk guxon të lihet pa mbështetje
Komuna e Hanit të Elezit ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mungesën e mbështetjes buxhetore për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në kuadër të planifikimeve për vitin 2027, duke e cilësuar këtë si një zhvillim shqetësues për arsimin e lartë dhe për zhvillimin e rajonit.
Në reagimin e saj, komuna vlerëson se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka një rol të rëndësishëm jo vetëm për qytetin e Ferizajt, por edhe për komunat përreth, përfshirë Hanin e Elezit, pasi prej vitesh ka qenë një qendër e rëndësishme akademike për shumë studentë të këtij rajoni.
Sipas reagimit, përmes programeve të tij studimore, universiteti ka kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të rinj dhe në krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë ndërmjet arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës.
Komuna thekson se mosparashikimi i mjeteve financiare për funksionimin e këtij institucioni ngre shqetësime serioze për të ardhmen e universitetit dhe dërgon një mesazh të gabuar për rëndësinë që duhet t’i kushtohet arsimit të lartë publik.
“Një vendim i tillë prek drejtpërdrejt studentët, stafin akademik dhe zhvillimin e gjithë rajonit”, thuhet në reagim.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, dhe komuna u bëjnë thirrje institucioneve qendrore që të rishikojnë këtë qasje dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm, në mënyrë që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të vazhdojë veprimtarinë e tij pa pengesa.
Në fund të reagimit theksohet se ruajtja dhe fuqizimi i institucioneve të arsimit të lartë është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa investimi në universitete përbën investim në të ardhmen ekonomike, profesionale dhe shoqërore të vendit.



