Aleanca kërkon hetim për profilet e rreme dhe fushatat e koordinuara të dezinformimit
Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndërtuar një kulturë politike të bazuar në përdorimin e profileve të rreme, fushatave të koordinuara të dezinformimit dhe linçimit politik.
Në një komunikatë për medie, Aleanca ka vlerësuar se qëllimi i kësaj propagande nuk është vetëm elektoral, por edhe minimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe te aleatët strategjikë të Kosovës.
“Përdorimi i profileve të rreme, fushatave të koordinuara të dezinformimit dhe linçimit politik është bërë shenjë dalluese e kulturës politike që ka ndërtuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë viteve të fundit.
Qëllimi i kësaj propagande nuk është vetëm elektoral. Synimi është delegjitimimi i të gjitha të arriturave të shtetit të Kosovës, rrënimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ulja e besimit te aleatët tanë strategjikë, për të krijuar një realitet të rremë politik, nga i cili përfiton vetëm pushteti e, indirekt, edhe armiqtë e Kosovës”, është thënë në komunikatë.
Aleanca i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të hetojnë dhe të ndërmarrin veprime ligjore ndaj personave që, sipas saj, organizojnë ose marrin pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit.
“Aleanca kërkon nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të hetojnë dhe të ndjekin penalisht çdo person që organizon ose merr pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht lidhjeve politike.
Demokracia nuk mbrohet me ushtri profilesh të rreme, por me sundim të ligjit dhe përgjegjësi”, ka përfunduar komunikata.



