Haddad për KiE-në: Franca do ta mbështesë Kosovën drejt anëtarësimit
Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, në konferencën për media pas takimit me ministrin e Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Para mediave, Haddad u shpreh i lumtur që ndodhet në Kosovë, duke e cilësuar vizitën si dëshmi të miqësisë së kahershme mes dy vendeve.
“Kam kënaqësinë që jam sot në Prishtinë si mik personal i Kosovës dhe si përfaqësues i presidentit Emmanuel Macron. Përtej miqësisë sonë, marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës janë të kahershme. Mbështetja jonë ka qenë gjithmonë e qëndrueshme dhe unë e konsideroj veten mik të Kosovës prej shumë vitesh”, tha Haddad, raporton Klankosova.tv.



