Ish-komandanti i Zonës së Nerodimës, Shukri Buja, nderon dëshmorët e Komunës së Shtimes
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimës, Shukri Buja, së bashku me bashkëluftëtarë dhe drejtues të Komunës së Shtimes, kanë bërë homazhe në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, në 28-vjetorin e saj.
Buja ka bërë të ditur se aktivitetet përkujtimore nisën pranë shtatores së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Reçak, Mollopolc dhe Zborc, si dhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime.
“Në nderim të 28-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, zhvilluam homazhe dhe vendosëm kurora me lule në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.
Në ditën e rënies së dëshmorit të parë të Shtimes, Ruzhdi Salihu, mora pjesë në homazhe, si dhe në përurimin e përfundimit të investimeve në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime.
Më pas u shfaq dokumentari kushtuar Dëshmorit të Kombit, Sadik Mujota – Malsori, ku pata nderin të mbaj fjalën e rastit në akademinë përkujtimore dhe të përcjell shfaqjen e dokumentarit kushtuar jetës dhe veprës së tij.
Në këto ditë të veçanta është e rëndësishme të nderojmë ata që dhanë gjithçka nga jeta e tyre, që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të ardhmen tonë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Komunës së Shtimes dhe të gjithë Kosovës!”, ka shkruar Buja.




