Rama për protestat: ‘Revolucioni i flamingove’, një çarje ku mund të hyjnë aktorë të huaj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë përbëjnë një shembull të një “çarjeje” përmes së cilës, sipas tij, mund të ndërhyjnë aktorë të huaj. Duke folur në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Rama është ndalur te rreziku i manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja përmes rrjeteve sociale.
“Duhet të jeni informuar për të ashtuquajturin revolucion i flamingove. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarjeje që u krijua, që u bë një mënyrë për të hyrë armiqtë tanë. Ecim me vendosmëri drejt fazës së anëtarësimit në BE, është me rëndësi të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Sa më afër shkon një vend drejt BE-së, aq më shumë rreken aktorët e huaj për të hyrë tinëzisht brenda dhe për të sulmuar. Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, ka deklaruar Rama.
Më tej, kryeministri është ndalur te mënyrat përmes të cilave, sipas tij, përhapet manipulimi i informacionit, duke përmendur lajmet e rreme, videot e falsifikuara dhe përdorimin e rrjeteve sociale për të ndikuar te qytetarët.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion kurrë nuk mbërrin me uniformën veshur, mbërrin si indinjatë, trend viral, video e falsifikuar, deep fake e një politikani, si një link që çohet në një grup WhatsApp-i nga një person që mirëfilli mendon se po ndan një të vërtetë, flet gjuhën tonë, shfrytëzon ankthet tona. Kjo është arsyeja pse është kaq efektiv. Nuk ju duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”, ka vijuar Rama.



