Ardian Gjini kërkon uljen e TVSH-së: Paratë duhet të mbeten në xhepat e qytetarëve

28 korrik 2026 | 16:23

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se realiteti i sotëm në Kosovë flet me shifra që kërkojnë një kthesë të qartë nga politikat ekonomike të kësaj qeverie ultra të majtë.

Ai ka theksuar se qytetari përballet me kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e konsumit të tij vazhdon të tatohet me normën standarde të TVSH-së prej 18%.

“Ndërkohë, shumë vende evropiane aplikojnë norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet, duke i trajtuar ato si produkte bazë për jetesë. Malta aplikon normë 0% për kategori të caktuara ushqimore, Italia 4% për produkte bazë dhe norma të tjera të reduktuara për kategori të caktuara, Spanja aplikon norma të reduktuara për produktet kryesore të shportës, Franca 5.5% për shumë produkte ushqimore, ndërsa Gjermania 7% për një pjesë të madhe të ushqimeve”, ka shkruar Gjini në ‘Facebook’.

“Çfarë do të thotë kjo për një familje kosovare? Nëse marrim si shembull një familje me 800 euro buxhet mujor dhe supozojmë se e gjithë kjo shumë shpenzohet në produkte me TVSH 18%, ajo familje paguan rreth 122 euro në muaj vetëm TVSH. Ndërsa me një normë prej 7%, për të njëjtën vlerë konsum, pagesa e TVSH-së do të ishte vetëm 52 euro. Pra, një familje me ato të ardhura i kursen 70 euro në muaj, ose rreth 840 euro në vit. Për një familje me të ardhura të ulta me 800 euro në muaj, 840 euro në vit janë disafish më shumë se “ndihmat” që i jep qeveria prej 100 euro dhe atë pasi e ka “mazitur” buxhetin. Nëse kësaj i shtohen edhe produktet që kanë akcizë, e që në shumë raste e kalon 20% e vlerës së mallit e që janë karburantet, duhani, alkooli, kafeja, etj, barra vetëm sa bëhet edhe më e madhe”.

Gjini ka deklaruar se Aleanca refuzon ekonominë e konsumit afatshkurtër dhe barrën e lartë tatimore mbi qytetarin.

“Politika jonë e djathtë synon t’i lë paratë aty ku e kanë vendin, në xhepat e qytetarit në mënyrë që ata vet të vendosin si i shpenzojnë”.

“Reforma jonë ekonomike përfshin rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, për të lehtësuar bizneset dhe prodhuesit e vegjel, uljen e TVSH-së për sektorin e ushqimit, duke e afruar me praktikat e vendeve evropiane, si dhe heqjen ose uljen në minimum të TVSH-së për produktet e higjienës për gratë dhe fëmijët”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se nuk mjafton të flasim për statistika makroekonomike nëse familja nuk e ndjen përmirësimin në portofolin e saj.

“Ndryshimi i politikave ekonomike nuk është më luks, është mbijetesë”, ka theksuar Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet kosovare janë duke kryer gërmime të martën në një…