Guri i LDK-së: Nuk do ta votojmë qeverinë Kurti

13 shtator 2026 | 14:27

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Para nisjes së seancës së Kuvendit, Guri ka bërë të ditur se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar.

“Po shkojmë në një mbledhje të grupit parlamentar që është ftuar. Ne natyrisht që secili deputet e ka vendin në Kuvendin e Kosovës, për atë arsye edhe na ka votuar populli. Natyrisht që nuk do të votojmë për Qeverinë Kurti”, ka deklaruar Guri.

I pyetur për një takim të mundshëm mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Guri ka mohuar se një takim i tillë do të zhvillohet.

“Jo, nuk ka takime mes Kurtit dhe Abdixhikut, për arsye se, ashtu siç e dini, prej orës 14:00 është edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, ndaj është edhe e pamundur që të jenë në të dy vendet njëkohësisht”, ka deklaruar ai.

Guri ka bërë të ditur se LDK-ja nuk ka informacione nëse do të ketë një seancë për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa ka kritikuar mënyrën e njoftimit të deputetëve për seancën e sotme.

“Jo, nuk kemi informacione. Fillimisht, mendoj që është pak e papërgjegjshme, për arsye se deputetët janë njoftuar 15 minuta para kohës për seancën e cila do të mbahet në orën 14:00, gjë që e pamundëson edhe fizikisht ardhjen e deputetëve në seancën e Kuvendit”, ka deklaruar Guri.

Sipas tij, informacioni i vetëm që deputetët kanë është se në orën 14:00 do të mbahet seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës.

“Informacioni i vetëm që e kemi ne si deputetë të Republikës së Kosovës është që në orën 14:00 do të mbahet një seancë në Parlamentin e Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, votimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Sa i përket marrëveshjes mes Kurtit dhe Abdixhikut, Guri ka thënë se ajo vazhdon të jetë valide.

“Absolutisht po. Përderisa nuk kanë dalë me e shfuqizuar marrëveshjen, marrëveshja i bie që është valide”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Guri ka theksuar se LDK-ja nuk ka diskutuar në asnjë moment për t’iu bashkuar Qeverisë Kurti, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij se nuk do të bëhet pjesë e ekzekutivit.

“Ne në asnjë moment nuk kemi diskutuar prej atij dakordimi që kemi pasur brenda grupit parlamentar që mos të marrim pjesë, që të mos bëhemi pjesë e qeverisë. Ne në asnjë moment nuk kemi dashur të hyjmë në qeveri, për arsye se nuk është ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të marrë pushtet ose ta ketë të gjitha këto negociata për pozita politike partiake”, ka deklaruar Guri.

Ai ka shtuar se qëllimi i LDK-së ka qenë që Kosovës t’i ofrohen institucione funksionale dhe të zgjidhet edhe presidenti, duke paralajmëruar se cikli i zgjedhjeve të shpeshta është i dëmshëm për vendin.

“Qëllimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë gjithmonë që vendit t’i ofrohen institucione, t’i ofrohet posti i presidentit, pasi që ne kemi hyrë në një cikël prej të cilit nuk po arrijmë të dalim, zgjedhje çdo gjashtë muaj. E këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të dëmshme për Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Tottenhamit, Roberto De Zerbi, ka shkaktuar reagime të…