Hysen Gega një personalitet i shquar dhe i përkushtuar në shërbim të lirisë së Kosovës

28 korrik 2026 | 11:48

Imer Xhemail Lladrovci

Unë nuk kam pas fatin të veprojë personalisht me Hysen Gegën sa ishte gjallë, por veprimtarinë e tij atdhetare e kam njohur relativisht mirë. Dhe këtë njohje e kam arritur falë veprimtarisë se tij atdhetare dhe tregimeve të të tjerëve për Hysen Gegën  në burgjet jugosllave dhe heroizmin e tijë si ushtarë i UÇK-së.

Hysen Gega ishte inteligjent, i etur për dije, por ai nuk kishte mundësi shkollimi në gjuhën  shqipe. Për brezin  i tij,  dukej sikur fatalitet mungesa e shkollës shqipe përtej fillores.  Siç  shkruan historiani kroat Ivo Banac, Titoja ishte penduar madje që e lejoi shkollën  fillore në gjuhën shqipe dhe jo mejtepet e dikurshme turke. Tito dhe Rankoviqi (Aleksandar Ranković) nuk donin shqiptarë të emancipuar, por shtetas të bindur dhe besnikë. Sidoqoftë, me filloren fillonte dhe përfundonte gjithçka. Me sa dukej, mësimi i shkrim leximit në gjuhën shqipe konsiderohej i mjaftueshëm për shqiptarët. Hysen Gega ishte në një gjendje paradoksale. Së pari, s‘kishte shkollë të mesme në gjuhën shqipe në qytetin e tij të  Therandës (Suhareka) dhe, së dyti, s‘kishte ndonjë trysni të madhe publike për të. Me njëfarë mënyre ishte  pranuar si e mirëqenë  logjika e sundimtarëve të rinj, shikuar në retrospektivë një logjikë me të vërtetë malinje.  Për familjen, në anën tjetër, dukej më e rëndësishme në këtë kohë që djali të punonte, të sillte para në shtëpi sesa të mbaronte një shkollë që s‘do t’i hynte fare në punë,  sepse për shqiptarët institucionet shtetërore i kishin dyert e mbyllura me gozhda të ndryshkura. Jo vetëm shkollat mbanin emra në serbisht, por edhe klubet sportive kishin emra serbë, edhepse serbët pothuajse askund nuk e kalonin 1/4 e popullsisë.

Jugosllavia mbretërore, ose Jugosllavia e parë, siç quhet ndryshe në popull,  shqiptarët i kishte rrëgjuar në krijesa të gjalla pa asnjë të drejtë politike dhe me të drejta të tjera të kufizuara. Për krajlët serbë shqiptarët dukeshin si njerëz, por politikisht njerëz nuk ishin. Mjafton të kujtojmë vrasjen dhe djegien e civilëve shqiptarë në Prapashticë në vitin 1921, për të pasur një ide për situatën e vështirë për shqiptarët. Keqtrajtimi fizik i shqiptarit s‘ishte një rastësi, një incident, por një linjë raciste e mirëmenduar. Në këtë vazhdë duhet shikuar edhe elaboratin e Vaso Qubrilloviqit (Vaso Ćubrilović) dhe Marrëveshjen jugosllavo-turke të vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Vitet ’30 dhe ato ’40, ta quajmë këtë periudhë kohore kushtimisht si mesin e shekullit XX dhe  të themi se kjo  periudhë kohore ishte jashtëzakonisht dinamike, nuk themi diçka të re, por as të gabuar, sepse bota po ndryshonte me të vërtetë. Ajo ishte trazuar. Fuqitë  e mëdha u ndeshën mes vete, popujt, sidomos ata të vegjël shkuan pas tyre në këtë kasaphanë. Lufta ishte e madhe, botërore dhe ata, shqiptarët e mjerë, menduan se tani, pas saj, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjithçka do të ishte ndryshe, dmth. më mirë. Por në fund  të luftës serbët u rikthyen edhe një herë. Fitimtari e eliminoi fizikisht  në mënyrë rutinore elitën shqiptare, të djathtit serbë u konvertuan në komunistë dhe  vranë një numër të madh shqiptarësh që i konsideronin armiqtë e tyre politikë, por pas kësaj faze të vrasjeve jeta filloi të rrjedhë me një ritëm tjetër: gjuha shqipe që kishte tashmë një status publik që nga koha e italianëve dhe gjermanëve, dmth. që nga koha e fashizmit dhe nacionalsocializmit, në shikim të parë,  s‘u prek, kështu thuhej,  por disa kufizimeve jo të vogla, megjithatë, iu nënshtrua. Shkollimi fillor në gjuhën shqipe vazhdoi, por shkolla të mesme me pretekste të ndryshme s’u hapën.

Hysen Gega e donte shkollën në gjuhën amtare, ai do të donte  të shkonte më tej në shkollë në gjuhën e tij. Një njeri s’e bën të pasur paraja dhe malli, mendonte ai. Kur ke humbur dijen, i ke humbur të gjitha, si njeriu që ka humbur mendjen. Një ndjenjë shpërfilljeje dhe shizoide ishte kudo: njerëzit e ndjenin se  nuk vlerësoheshin shumë. Ata s’duhej të ankoheshin, por t’i zbatonin urdhrat e shtetit. Mungesa e shkollës shqipe në nivele të tjera s’ishte një fatalitet natyror, por një çështje e vullnetit politik, konsideronte Hysen Gega. Ky ishte interpretimi i esëllte i realitetit nga rinia shqiptare, jo vetëm i Hysen Gegës. Megjithatë, shqiptarët ishin mësuar me mungesën e shkollës në gjuhën e tyre që nga sundimi paraprak turk. Një popull që ndërron pushtuesit, nuk është i lirë  kurrë, ndaj dhe s’vendos për fatin e tij. Një popull që e kishte vuajtur me shekuj mungesën e shkollës së tij kombëtare, psikologjikisht ndalimin e saj e përjetonte pa ndonjë dramë të madhe. Hysen Gega, deshi s‘deshi, u detyrua të punojë. Në këtë periudhë të jetës do të bësh diçka, nëse nuk shkon në shkollë. Dhe, ai iu përvesh punës.  Ai ishte një njeri që e donte punën. Një  kohë, punoi në Beograd, ku bënte  punët më të rënda fizike, por për këtë mund të madh kompenzohej keq. Dhe, jo vetëm paguhej pak, por edhe nënçmohej. Pse? Do ta pyeste vetën herëpashere i revoltuar, pse më trajtojnë kështu si një leckë? Një anekdotë për poetin Qerim Ujkani ka të ngjarë që e pikturon më saktë   situatën psikologjike të  atyre viteve. Thuhet se Qerim Ujkani  shkoi njëherë  në Beograd dhe një  plakë serbe e pyeti atë ashtu kot se ç ‘profesion kishte. Ujkani ia ktheu asaj: jam poet. Plaka sikur të fliste vetë me vete tha me njëfarë mosbesimi: edhe shqiptar, edhe poet. Ky kombinim s‘i dukej asaj aspak i besueshëm dhe as  i mundshëm. Ajo filloi të dyshonte se shqiptari  po tallej me të. Nuk ishte e mundshme që një shqiptar të ishte poet. Shqiptarët mund të bëjnë punë fizike të rënda dhe mund t’i bënin mirë ato, kur donin, por vargje të shkruajnë, kjo s’ishte punë për ta,  sepse i kapërcente aftësitë e tyre. Se poezia është një punë  tepër serioze dhe shumë e ndërlikuar, për shqiptarin një gjë e pamundshme.  Të kishte thënë ky shqiptar arrogant se ishte hamall a druprerës, po këtë gjë do ta besonte plaka menjëherë. Në një kësi kohe jetoi Hysen Gega, në një kohë kur si shqiptar s’mund të ishe më shumë se një punëtor i thjeshtë fizik. Pas disa muajsh pune në Beograd, Hyseni do të  shkonte  më larg, në Gjermani. Atje jo vetëm fitonte më shumë, pakrahasimisht më shumë se në Beograd, por edhe trajtohej më mirë. Si njeri! Në Jugosllavi trajtohej si nën njeri, Untermensch. Kjo praktikë politike e poshtërimit total e mprehu edhe më tej shqisën e tij të perceptimit, e rriti shumë ndjeshmërinë  e tij për tema politike. Këto që përjetonte s’ishin të reja në thelb, por s’ishin as konstatime abstrakte ideologjike, por vetë jeta. Këtu, në Gjermani , ai pa se kishte edhe një organizim tjetër politik, alternativ që e refuzonte politikën zyrtare jugosllave që për shqiptarët kishte rezervuar vetëm skllavërinë. Dogma politike që shenjonte shqiptarët si një hordhi primitive rezistente ndaj të resë ndryshohej vetëm me angazhim praktik politik.  Nuk u desh shumë kohë dhe Hysen Gega u fut në një organizatë të tillë që sipas ligjeve jugosllave nuk lejohej të zhvillonte veprimtari. Atëherë këto organizata vepronin si organizata ilegale jo pse e dëshironin këtë gjë, por pse me ligjet jugosllave s’lejohej veprimtaria e tyre, kështu që, për të mbijetuar,  e pranonin ilegalitetin dhe vepronin në fshehtësi. Fshehtësia e veprimit ishte rrjedhojë e ilegalitetit, kundërligjshmërisë. Jugosllavët thoshin se stigmën duhej ta bartje, jo ta ndryshoje. Partia e dinte se kur duheshin bërë ndryshime. Ligjet e Jugosllavisë e ndalonin platformën e tyre politike, me një fjalë çdo gjë që zhvillohej jashtë këtyre ligjeve quhej ilegale. Fshehtësia ishte rrjedhojë e ilegalitetit. Të ishe ilegal në këtë kohë nuk do të thoshte aspak të mos ishe legjitim. Në fakt, legjitim ishe atëherë më së shumti, por edhe jashtëzakonisht i rrezikuar: ishe si një lis i shenjuar për t’u prerë. Pas njëfarë kohe në afërsi të qytetit të tij  u vendos  edhe një atdhetar, një gazetar i ndjekur nga pushteti, Jusuf Gërvalla. Hysen Gega kishte fituar përshtypjen se për çështjen shqiptare kujdeseshin vetëm shqiptarët e pashkollë. Është e vërtetë që në këtë kohë inteligjencia shqiptare paraqitej sikur ishte e distancuar nga problemet shqiptare. Por ky ishte një mekanizëm vetëmbrojtës. Inteligjencia kudo në botë, mendonte Hysen Gega, është në pararojë të zgjidhjeve të problemeve të mëdha të jetës. Por te ne ishte ndryshe. Por kjo gjendje duhej të ndryshonte dhe përfshirja e një gazetari në luftën politike alternative ishte një lajm jashtëzakonisht i mirë. U gëzua shumë që një gazetar si Jusuf Gërvalla i ishte bashkuar Lëvizjes Atdhetare kosovare. Por, organizata ku bënte pjesë Hysen Gega për çudi kishte një vlerësim tjetër. Jusuf Gërvalla ishte shkrimtar, këngëtar dhe gazetar, por s‘ishte atdhetar, iu tha atij. Për më tepër, ai  s‘ishte fare i përndjekur, por një provokator,  një spiun që ishte dërguar enkas për t‘i përçarë shqiptarët në Gjermani. Po shqiptarët në këtë kohë ende ishin një  masë amorfe, e paorganizuar, në skllavërinë e tyre më tepër një kope sesa një masë që duhej  përçarë. Mërgimtarët shqiptarë përbënin një  masë të trullosur që po zgjohej ngadalë, tepër ngadalë për mendimin e Hysen Gegës. Njerëzit që punojnë si skllave s’ke çka i përçanë. E vetmja gjë që duhej bërë ishte vazhdimi i gjumit. Zgjimi në embrion duhej mbytur. Ata mund t’i bashkonte dikush se në inaktivitetin e tyre të përçarë ishin. Sidoqoftë, Hysen Gega u përmbajt, por edhe u befasua shumë nga ky vlerësim, nuk tha asgjë, dëgjoi me vëmendje, donte t‘i shihte gjërat me sytë e tij, ta njihte “përbindëshin“. Kur takoi Jusufin, fjalët që i kishte dëgjuar për të pa se s‘ishin të vërteta, madje u bind se bëhej fjalë për diçka tjetër, për  shpifje të qëllimshme, perfide.

Hysen Gega nuk na la asgjë të shkruar për veten e tij. Ai mund të fliste bukur për të tjerët, por për vete disi  ngurronte, kështu që ata që e njohën në rrethana të vështira duhet ta kenë parasysh edhe këtë gjë, ndaj dhe duhet të flasin, shkruajnë domosdoshmërisht për të. Duke u lënë atyre që vijnë pas nesh dëshmi të shkruara për paraardhësitë e tyre të përkushtuar, ua bëjmë më të lehtë orientimin ndaj lirisë. Luftën e tyre nuk mund t‘ua marrim, por orientimin mund t‘ua japim.  Duke shkruar për të mund të thuhet se, tërthorazi, shkruhet për popullin shqiptar. Siç e shohim, kohët ndryshojnë, por librat mbeten dhe ato e vazhdojnë misionin e autorit dhe të kryepersonazhit.

Ne, ç‘është e vërteta s‘jemi popull i librit, por i rrëfimeve gojore. Nikollaj Gogoli u bë i njohur si shkrimtar nga rrëfimet e nënës së tij nga provinca. Këto rrëfime që i  merrte si letra nga nëna e tij, Gogoli i botoi si libër, i shndërroi kështu në letërsi dhe u bë i njohur si shkrimtar  në mbarë Rusinë. Gogoli ishte ukrainas, por librat i botoi në rusisht, sepse ukrainishtja, ashtu si shqipja, ishte gjuhë e ndalur me dekret perandorak. Por, një gjë duhet thënë këtu patjetër, rrëfimet gojore kanë një të metë të madhe,  skadencën e tyre. Ato edhe mund të humbin, të treten. Rrëfimet në vetën e parë njejës  jetojnë  tepër shkurt, vetëm sa jeton rrëfimtari, ndërsa qëllimet e popujve pothuajse asnjëherë nuk realizohen brenda një brezi. Historia e popujve ec me një ritëm tjetër nga historia e jetës së individit. Libri i konservon kohët e kaluara dhe brezat e tyre, me idetë e të cilave ndriçon mendjet e atyre që vijnë pas. Kultura shqiptare ka pasur në të kaluarën e saj nje deficit të madh: mungesën e shkrimit dhe atë të librit në gjuhën shqipe. Perspektiva shqiptare mungonte në tërësi në politikën osmane. Nuk duhet harruar kurrë faktin se për një libër shqip të shkonte koka. Rrëfimet gojore kanë edhe një  dobësi tjetër: ato falsifikohen lehtë. Zbehja e tyre është një dobësi tjetër e madhe që duhet të merret poashtu  në shqyrtim nga një studiues serioz i folklorit. Zbehja i bënë rrëfimet jo të efektshme, sepse rrëfimi lidhet me rrëfimtarin në një mënyrë që me zhdukjen e tij humbet në njëfarë mase rrezatimi  i rrëfimit.

Në shoqërinë tonë sot vihet re një prirje për falsifikim dhe rivalorizim oportunist. Dhe falsifikim nuk është vetëm kur një i vrarë si spiun nga Lëvizja  jonë e Armatosur paraqitet ndryshe nga ç‘ka qenë,  por edhe atëherë kur çështja e luftës legjenderazohet kemi të bëjmë me falsifikim, pra kur kemi të bëjmë me një paraqitje joobjektive. Lufta jonë e fundit për çlirim kombëtar përbën luftën më të rëndësishme në historinë tonë. Kjo luftë ishte reale, jo fiksion. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në radhët e të cilës luftoi edhe Hysen Gega ishte vërtet ushtri, vërtet çlirimtare dhe me të vërtetë e Kosovës.  Ndryshe kurrë nuk do të hynte në të Hysen Gega. Poashtu, viti 1981 ishte vit me rëndësi të jashtëzakontë për zgjimin tonë politik, vit i kthesës së madhe. Duhet shtuar se falsifikimet nuk bëhen gjithmonë me synimin e  keq, edhe pse  fundin e kanë gjithmonë të keq. Gjermanët thonë se e kundërta e të mirës s‘është e keqja, por e menduara  për  mirë. Kjo prirje një ditë bie në duart të  liga që  gjithë çështjes i japin një kahje të keqe. Shumë herë me sukses, edhe pse, për fat të mirë, jo gjithmonë.

*Hysen Gega mori një sasi parash për burgun e tij  nga shteti i Kosovës. Duke qenë se kishte kaluar shume vite në burg, edhe shuma s‘ishte e vogël. E bindën të blinte një makinë. Doli në treg dhe e bleu, por diçka brenda tij i thirri: O Hysen Gega, burgu yt s‘mund të konvertohet në kurrfarë mallra të konsumit të përditshëm! Të nesërmen e ktheu makinën  me një humbje të vogël monetare dhe gjithë paratë pastaj i shpërndau për qëllime të ndryshme  humanitare. Një pjesë ia dha  FSK-në, një pjesë tjetër për një medium që doli nga lufta jonë çlirimtare dhe disa familjeve qe kishin ndihmuar luftën e UÇK-së në Shqipëri.

Hysen Gega u nda nga jeta pesë vjet më parë. Në testamentin e tij ai shfaqi gatishmërinë që trupin e tij ta linte në dispozicion të hulumtimeve të shkencës. I gjallë dhe i vdekur, ai donte t’i shërbente vendit të tij. Aq shumë ishte i lidhur me fatet e popullit të tij, saqë mendonte se atij duhet t’i shërbejmë edhe pas vdekjes. Asnjë brez shqiptar s‘ia del mbanë pa orientimin kombëtar dhe përvojën jetësore  të njerëzve që kanë luftuar një jetë të tërë për lirinë.

Hysen Gega e kuptonte politikën si shërbim dhe jo si një fushë fitimprurëse. Ai nuk predikoi përkushtimin atdhetar, por përkushtimin e bëri pjesë të jetës së tij, e praktikoi.

Drenicë, 28.07.2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në…