FFK-ja organizon kursin e radhës për trajnerë për UEFA B Licencë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të organizojë kursin e radhës për trajnerë për përfitimin e UEFA B Licencës.
Kursi do të nisë më 24 gusht 2026 dhe do të përfshijë fazën e ligjëratave, punës praktike dhe provimeve. Programi do të zhvillohet gjatë muajve gusht, shtator dhe tetor, ndërsa pjesëmarrësit do të duhet të kryejnë edhe një periudhë praktike në klub dhe fazën e dytë mësimore.
Gjatë kursit do të trajtohen, në teori dhe praktikë, tema të ndryshme, përfshirë:
Njohjen bazike të futbollit;
Stërvitjen për të rinj;
Stërvitjen teknike dhe taktike;
Përgatitjen fizike;
Analizën e lojës.
Kursi kërkon pjesëmarrje aktive në ligjërata dhe në punën praktike, ndërsa kandidatët duhet të jenë të përgatitur edhe fizikisht për kërkesat e programit.
Kriteret për aplikim
Për t’u pranuar në kurs, kandidatët duhet të dorëzojnë:
Vërtetim nga Policia për dosjen penale;
Certifikatë shëndetësore nga QKMF-ja;
Kopje të Licencës C.
Kursi do të përfundojë me provime në fund të fazës së tretë. Trajnerët që i përfundojnë me sukses provimet do të pajisen me UEFA B Licencë, e cila është një nga kriteret për avancimin drejt licencave të tjera, përfshirë UEFA A Licencën.
Pagesa për pjesëmarrje në kurs është 700 euro për person.
Trajnerët e interesuar duhet të aplikojnë online përmes ueb-faqes së FFK-së, në rubrikën “Aplikimi për Trajner”, deri më 8 gusht 2026.
Për informacione shtesë, kandidatët mund të kontaktojnë Departamentin Teknik të FFK-së në adresën: [email protected].
Numri i pjesëmarrësve në këtë kurs është i kufizuar në 24 trajnerë. FFK ka bërë të ditur se aplikimet e dorëzuara pas afatit dhe ato të pakompletuara nuk do të merren parasysh.



