Llapi transferon mesfushorin kroat
Llapi ka bërë përforcimin e radhës në afatin kalimtar, duke transferuar mesfushorin ofensiv kroat, Pjero Skariq.
Klubi nga Podujeva ka prezantuar të mërkurën futbollistin 27-vjeçar, i cili ka nënshkruar kontratë me Llapin deri në verën e vitit 2028.
Pas përfundimit me sukses të ekzaminimeve mjekësore, Škarić i është bashkuar skuadrës dhe ka nisur përgatitjet me ekipin për sezonin e ri.
“Skariq pritet t’i japë një dimension të ri repartit ofensiv të KF Llapit dhe të jetë një armë e rëndësishme për objektivat e klubit në sezonet në vazhdim”, ka njoftuar Llapi.
Mesfushori kroat vjen në Kosovë pas një sezoni të suksesshëm me NK Hrvace në kategorinë e dytë të futbollit kroat.
Në 34 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit të kaluar, Škarić shënoi 10 gola dhe regjistroi pesë asistime, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të skuadrës.
Me këtë transferim, Llapi synon të forcojë repartin ofensiv dhe të jetë më konkurrues në objektivat e sezonit të ri.



