Cakolli: Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht me ushtrues detyre në postin e Presidentit

31 korrik 2026 | 13:12

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me çështjen e ushtrimit të detyrës së presidentit, duke theksuar se Kosova duhet ta zgjedhë Presidentin e ri brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Cakolli ka thënë se zgjedhja e presidentit duhet të përmbyllet më së largu deri më 4 tetor, duke kundërshtuar mundësinë që vendi të vazhdojë për një kohë të pacaktuar me ushtrues detyre në këtë post.

Sipas tij, dështimi i partive politike për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit nuk mund të shërbejë si arsyetim për tejkalimin e afatit kushtetues të ushtrimit të detyrës.

“Një dështim eventual i partive politike për ta zgjedhur Presidentin nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si arsyetim për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës, e aq më pak për të krijuar një mandat të ri gjashtëmujor për secilin kryetar të ri të Kuvendit që do ta ushtronte këtë funksion”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka argumentuar se një interpretim i tillë do ta zhbënte kuptimin e afatit kushtetues, pasi partitë politike do të mund ta bllokonin zgjedhjen e presidentit dhe, përmes ndryshimit të kryetarit të Kuvendit, të zgjatnin në mënyrë të përsëritur ushtrimin e detyrës së presidentit.

Cakolli ka paralajmëruar se një praktikë e tillë do të krijonte mundësinë që posti i presidentit të mbetej për një kohë të pacaktuar në duart e ushtruesit të detyrës, çka, sipas tij, do të ishte në kundërshtim me qëllimin e kufizimit kushtetues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të vazhdojë të qëndrojë…