Dogana e Kosovës parandalon futjen e medikamenteve të padeklaruara, të fshehura në autobus

31 korrik 2026 | 17:06

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar një tentim për futjen në territorin e Kosovës të medikamenteve të padeklaruara, të cilat ishin fshehur në një autobus gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar te Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit fizik, zyrtarët kanë identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e autobusit. Në këtë hapësirë janë gjetur disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj. Pas verifikimit, është konstatuar se ato përmbanin medikamente të padeklaruara.

Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet në rreth 6 mijë euro.

Para kontrollit, drejtuesi i autobusit kishte deklaruar para autoriteteve doganore se nuk posedonte mallra për deklarim. Megjithatë, zbulimi i medikamenteve të fshehura përbën kundërvajtje doganore, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës.

Pas zbulimit të rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të detajuar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe se çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve përmes kontrolleve efektive në pikat kufitare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron…