Avokati i Thaçit: Gjykata Speciale rishkroi historinë

16 shtator 2026 | 12:51

Pierre Richard Prosper, avokat në ekipin mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale, e cila e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim.

Prosper është shprehur se beteja për drejtësi nuk përfundon me këtë vendim, duke e cilësuar atë si një shkelje të drejtësisë.

“Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar”, ka deklaruar Prosper.

Ai iu referua edhe dëshmive dhe deklarimeve të figurave ndërkombëtare të përfshira në proceset diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur gjeneralin Wesley Clark, Jamie Rubin dhe Chris Hill.

Sipas Prosperit, këta dëshmitarë kanë dhënë një pasqyrë tjetër për rolin e Thaçit gjatë luftës.

“Në Tribunalin e Hagës kemi parë histori. Kemi parë gjeneralin Clark, Jamie Rubin, Chris Hill dhe njerëzit që ishin atje dhe ndanë eksperiencën e tyre me ne. Ata e bënë të qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Por ajo që dëgjuam sot është se Gjykata rishkroi historinë”, ka theksuar ai.

Prosper ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar roli i UÇK-së dhe raporti i saj me NATO-n.

“Ata po thonë që NATO bëri partneritet të qëllimshëm me një ‘ndërmarrje kriminale’”, ka shtuar avokati i Thaçit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se sot do…