Lushaku: Ende s’kemi ftesë nga LV-ja, deputetët e LDK-së t’i nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë

31 korrik 2026 | 12:13

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj ende nuk ka marrë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për vazhdimin e dialogut për formimin e institucioneve të reja.

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësues të partive të tjera politike, Lushaku ka thënë se LDK-ja synon që më 6 gusht, kur është caktuar seanca konstituive, të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit.

“Ne synojmë që Kuvendi të konstituohet dhe dëshirojmë që sa më shpejt t’i japim institucione vendit tonë”, ka thënë ajo.

Lushaku ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka një ftesë të re nga LV-ja, duke theksuar se proceset brenda LDK-së, për shkak të të cilave ishin pezulluar bisedimet, tashmë kanë përfunduar.

“Nuk ka ndonjë ftesë tani, meqë edhe janë përmbyllur proceset për çka i kishim ndërprerë dialogun tonë me Vetëvendosjen sa i përket institucioneve. Sapo të kemi një takim dhe të kemi dialog edhe marrëveshje, do t’ua bëjmë të ditur, nëse do të ketë marrëveshje”, ka deklaruar Lushaku.

E pyetur nëse LDK-ja ka preferenca për pozita institucionale, ajo ka mohuar se kjo është arsyeja kryesore e hyrjes në dialog me LV-në. Sipas saj, një marrëveshje e mundshme duhet të ndërtohet fillimisht mbi parimet politike të partisë, ndërsa pozitat janë çështje dytësore.

“Çdo partneritet në mes partive politike ndërtohet mbi bazën e parimeve bazë, sepse secila parti ka garuar me një program dhe me disa parime bazë. Jemi parti që qartësisht jemi të orientuar nga Perëndimi, i kemi vlerat tona bazike që dëshirojmë t’i imponojmë në çdo marrëveshje dhe në çdo krijim partneriteti. Dialogu mbi partneritetin dhe mbi një marrëveshje eventuale ndërtohet mbi parime edhe mbi pozitat, por fillimisht mbi parimet. Kah duam t’i orientojmë objektivat e programit tonë, e pozitat janë çështje e dorës së tretë”, ka thënë ajo.

Lushaku ka folur edhe për qëndrimin e grupit parlamentar të LDK-së në raport me negociatat, duke theksuar se deputetët duhet të veprojnë në përputhje me orientimet e Kuvendit të LDK-së, si organi më i lartë i partisë.

“Angazhimi i LDK-së edhe i deputetëve duhet të jetë në prizmin e bërjes së institucioneve të shtetit tonë, themelimit të institucioneve dhe dhënies së kontributit si parti për aq sa kemi fuqi politike. Grupi Parlamentar normalisht që duhet të jetë në harmoni me këtë deklaratë, sepse Kuvendi i LDK-së është organi më i lartë, i cili bën orientimet strategjike dhe objektivat kryesore të partisë. Ne i nënshtrohemi vullnetit të anëtarësisë”, ka përfunduar Lushaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se mes…