Kryetarët e komunave reagojnë pas dënimit të katërshes së UÇK-së në Hagë: Përjetë UÇK!
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi”, ndërsa ka shkruar se është “shumë i tronditur” nga aktgjykimi.
“Drejtësia sot u bë padrejtësi! Heronjtë tanë të luftës dhe paqes kanë qenë, janë dhe përgjithmonë mbesin të pafajshëm. Vendimin e Hagës, me qytetarë e përcollëm nga Sheshi në Drenas. Jam shumë i tronditur nga vendimi. Pafajësia është vendimi i vetëm i drejtë! Krimi kundër njerëzimit dhe Krimet e luftës, ranë poshtë. Çlirimi dhe liria ishin qëllimi i vetëm i çlirimtarëve! Qëllimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes ishte liria dhe çlirimi i Kosovës, si e drejtë themelore për lirinë e qytetarëve të Kosovës. Rruga për çlirim nuk ishte e lehtë dhe pa ndihmën e aleatëve, NATO-s, ne nuk do ta arrinim këtë qëllim, lirinë dhe çlirimin nga okupimi gati shekullor serb”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se shpifjet dhe tendencat e disa shteteve jomiqësore ndaj lirisë dhe punën për ta kriminalizuar UÇK-në, ranë poshtë.
“Shënjestrimi i heronjve tanë nga shteti gjenocidal, për baltosjen e qëllimeve dhe veprimeve të çlirimtarëve, është i njohur. Janë akuza shekullore të zbatuara me gjenerata, pre e të cilave ranë edhe ky trup gjykues. Adresa e vetme e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë, është Serbia. Kundërshtimi i fuqishëm i këtyre vendimeve të padrejta mbetet prioritet i mbrojtjes së heronjve tanë të luftës dhe paqes, por edhe institucioneve të Kosovës”, ka shkruar në “Facebook” Lladrovci.
Edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar kundër aktgjykimit. “Asnjëherë në emër të popullit të Kosovës! Asnjëherë në emër të popullit për të cilin luftuat! Liria që gëzojmë sot e ka zhurmën e hapave të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo liri e ka një çmim: gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën mbinjerëzore të një populli të tërë”, ka shkruar në “Facebook” Latifi.
Ai ka thënë se katërshja e madhe e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u përballën me gjyqin më të padrejtë në histori të botës, jo për veten e tyre, por për pastërtinë e historisë sonë. “Tendenca për të njollosur luftën tonë çlirimtare është tendencë për të tjetërsuar të vërtetën e Kosovës. Historia nuk zhbëhet dhe as nuk ndryshohet dot nëpër salla gjyqesh! Përjetë UÇK! Përjetë krenar me luftën e UÇK-së për liri! Kurrë në emrin tim! Me ju sot, nesër dhe përgjithmonë!”, ka shkruar Latifi.
Ndërkaq, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shkruar se “sot drejtësia na zhgënjeu”. “Sot drejtësia na zhgënjeu! Çlirimtarët tanë vazhdojnë të mbahen larg familjeve, larg atdheut! Për popullin përherë do të jeni meritorët e lirisë”, ka shkruar Kastrati.
Në reagim ka dalë edhe kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, i cili ka shkruar vetëm: “Jo në emrin tim!”.
Ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Vendimi i sotëm është i padrejtë dhe nuk mund ta ndryshojë të vërtetën; UÇK është e gdhendur në themelet e shtetit tonë dhe zemrat e qytetarëve tanë”, ka shkruar Bulliqi. Edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas aktgjykimit. Ai ka publikuar vetëm një fotografi në rrjetet sociale “No coment”.



