Financial Times: Kush e nxiti valën e emigrantëve drejt Spanjës?
Vala e emigrantëve që vërshoi në Ceuta, duke besuar se Spanja do të ishte një “portë e hapur” mundësish, rezultoi një zhgënjim për mijëra të rinj afrikanë. Brenda vetëm 24 orësh, mijëra njerëz u kthyen prapa, duke parë ëndrrën e tyre për një jetë të ligjshme në Evropë të shkatërrohej.
Më shumë se 48,300 persona, nga rreth 60,000 që kaluan masivisht në Ceuta, u kthyen vullnetarisht në Marok, duke ndjekur të njëjtën rrugë nga e cila kishin hyrë. Ata e kishin kaluar natën jashtë, duke bredhur rrugëve në kërkim të ushqimit dhe ujit. Aty kuptuan se nuk kishte “qasje të lehtë” në Evropë, ndryshe nga sa u ishte thënë.
“Na gënjyen. Askush nuk na pranon. Është si një burg”, deklaroi një maroken 18-vjeçar, duke shprehur zhgënjimin e shumë bashkëmoshatarëve të tij.
Mediat sociale dhe premtimet e rreme
Autoritetet spanjolle po përpiqen tani të identifikojnë se kush qëndronte pas mesazheve që çuan dhjetëra mijëra të rinj të mblidheshin në qytetin maroken përballë Ceutës, përpara se të provonin kalimin.
Postime dhe mesazhe në mediat sociale u gjetën në telefonat e shumë emigrantëve. Sipas tyre, kushdo që arrinte të notonte deri në anën spanjolle mund të merrte një leje qëndrimi, të përfitonte nga procedurat e supozuara të legalizimit dhe më pas të udhëtonte pa vështirësi në Spanjën kontinentale.
Këto premtime rezultuan të rreme, por për mijëra të rinj pa punë dhe pa perspektivë, ato ishin nxitje e mjaftueshme për të provuar kalimin e rrezikshëm.
Si mijëra emigrantë notuan drejt Ceutës
Hyrja masive e rreth 60,000 njerëzve në enklavën spanjolle të Ceutës të enjten nuk ishte një lëvizje spontane. Sipas Financial Times, shumë prej atyre që notuan përtej kufirit detar ishin përgatitur prej javësh, me qëllimin e vetëm për të arritur në tokën evropiane.
Kjo ndodhi disa ditë pasi rreth 1,800 persona kishin arritur të hynin në Ceuta duke notuar rreth valëpritëses që ndan territorin spanjoll nga Maroku.
Sipas dëshmisë së një instruktori maroken të notit, disa emigrantë kishin marrë mësime ose kishin mësuar vetë të notonin, duke e ditur se deti do të ishte e vetmja rrugë për në Evropë.
Njëkohësisht, një “infrastrukturë” informale u organizua në mediat sociale. Grupet në Facebook publikonin reklama për shitjen e pendëve dhe kostumeve të zhytjes, ndërsa përdorues të tjerë shkëmbenin informacione në gjuhën arabe rreth kushteve të motit, rrymave të detit dhe rrugës për në plazhin Tarajal në Ceuta, madje duke i shoqëruar postimet me pamje nga Google Maps.
Rruga drejt detit
Që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, mijëra njerëz iu drejtuan kufirit nga ana marokene. Ata mbërritën në këmbë, me biçikletë, me makinë apo edhe me kamionë, duke shkaktuar bllokime trafiku në rrugët që çojnë drejt vijës kufitare.
Në vend që të kalonin nëpër doganë, shumë prej tyre zbritën përgjatë shpateve të pjerrëta drejt një plazhi të ngushtë.
Edhe pse distanca më e shkurtër për në Ceuta është vetëm disa qindra metra, mbipopullimi dhe rrymat e forta të detit i detyruan shumë të notonin distanca shumë më të gjata, duke qëndruar në ujë për orë të tëra.
Pamje kaosi dhe tragjedie
Në bregdetin spanjoll, të mbërriturit dilnin nga deti me lëndime në këmbë të shkaktuara nga shkëmbinjtë. Garda Civile Spanjolle, e cila kishte marrë përsipër ruajtjen e kufirit, monitoronte situatën pa i penguar emigrantët të zbarkonin.
Karakteristik ishte imazhi i një burri që arriti të dilte në tokë duke mbajtur edhe biçikletën me vete, ndërsa të tjerë regjistronin përpjekjen e tyre me telefonat celularë.
Sipas mediave spanjolle, të paktën 57 persona humbën jetën në det gjatë kalimit.
Realiteti pas mbërritjes
Shumë prej atyre që mbërritën në Ceuta iu drejtuan qendrës së pritjes për emigrantët, e cila e kishte tejkaluar kapacitetin e saj në ditët e mëparshme dhe mbetej e mbyllur. Disa prej tyre qëndruan në terren nën mbikëqyrjen e policisë dhe Kryqit të Kuq, duke pritur zhvillime të mëtejshme.
Pavarësisht përshtypjes së krijuar pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës se ata që mbërrijnë duke notuar nuk mund të kthehen menjëherë mbrapsht, Ceuta nuk është një portë hyrëse e lirë drejt pjesës tjetër të Bashkimit Evropian. Për të kaluar në Spanjën kontinentale nevojiten kontrolle të tjera kufitare.
Deri të premten pasdite, sipas autoriteteve spanjolle, rreth 48,300 persona ishin kthyer vullnetarisht në Marok. Më vonë, Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se “pothuajse të gjithë” ata që kishin kaluar kufirin ishin kthyer. /Lapsi.al



