NATO rishikon praninë në Kosovë, Ulutas: Nëse vazhdon stabiliteti, KFOR-i mund të zvogëlojë gradualisht numrin e ushtarëve
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori turk, Özkan Ulutaş, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se, pas sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në maj të vitit 2023 në veri dhe rastit të Banjskës, nuk ka pasur incidente me përmasa dhe intensitet të ngjashëm.
Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, Ulutaş ka pranuar se megjithatë ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që mund të ndikojnë në siguri dhe se ato duhet të adresohen.
“Mandati im i parë në krye të KFOR-it në vitin 2023 pasoi incidente serioze të sigurisë në veri të Kosovës, të cilat kishin ndodhur më herët gjatë atij viti, përfshirë sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj paqeruajtësve tanë në Zveçan. Si rezultat i këtyre zhvillimeve negative, KFOR-i u përforcua në masën më të madhe në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro një mijë trupave shtesë”, ka thënë Ulutaş.
Ai ka shtuar se që nga ajo periudhë nuk janë regjistruar incidente të ngjashme për nga përmasat apo intensiteti, por KFOR-i vazhdon të mbetet vigjilent përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile në të gjithë territorin e Kosovës.
“Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, ndërsa mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, ka deklaruar ai.
Sipas Ulutaş, me stabilizimin e situatës së sigurisë, NATO-ja do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtatë nivelin aktual të forcave gjatë vitit të ardhshëm.
“Ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e bëjnë të nevojshme. Që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për të përmbushur detyrën dhe t’i përgjigjet zhvillimit të situatës së sigurisë”, ka thënë komandanti i KFOR-it.



