BQK-ja publikon raportin e stabilitetit financiar për vitin 2025

04 gusht 2026 | 15:13

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, i cili paraqet vlerësimin e zhvillimeve në sistemin financiar, rreziqeve ndaj stabilitetit financiar dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar përballë zhvillimeve të pafavorshme, duke evidentuar kapacitetin e tij për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Raporti është hartuar në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri të larta, tensione gjeopolitike, presione inflacioniste dhe kushte më të shtrënguara të financimit. Përkundër këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të shënojë rritje pozitive gjatë vitit 2025, ndërsa aktiviteti ekonomik është përshpejtuar në tremujorin e parë të vitit 2026. Pozicioni i shëndoshë fiskal, niveli i ulët i borxhit publik dhe ruajtja e disiplinës fiskale kanë vazhduar të kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve makroekonomike.

Raporti ka konfirmuar se sistemi financiar i Kosovës ka ruajtur stabilitet të lartë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar qëndrueshmëri ndaj zhvillimeve në ekonomi. Pozita e shëndoshë financiare e institucioneve financiare, korniza e avancuar rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe politikat makroprudenciale të ndjekura nga BQK-ja, kanë forcuar më tej kapacitetin e sistemit financiar për të absorbuar rreziqet dhe për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

Vlerësimi i përgjithshëm i raportit është se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll. Sistemi financiar vazhdon të karakterizohet nga pozicion i fortë kapitali, likuiditet i mjaftueshëm, cilësi e mirë e aseteve dhe burime të qëndrueshme financimi, duke ruajtur aftësinë për të mbështetur ekonominë edhe në rast të materializimit të skenarëve më pak të favorshëm. Kjo dëshmon se sistemi financiar vazhdon të kryejë në mënyrë efektive funksionet e tij kryesore, duke ruajtur besimin e publikut dhe duke mbështetur financimin e ekonomisë.

Raporti ka vlerësuar se, megjithëse mjedisi ndërkombëtar vazhdon të karakterizohet nga pasiguri të lidhura me tensionet gjeopolitike, fragmentimin ekonomik, kushtet më të shtrënguara financiare, inflacionin dhe rritjen e rreziqeve kibernetike, sistemi financiar i Kosovës ka dëshmuar kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të absorbuar goditje të mundshme.

Një nga gjetjet kryesore të raportit është se rezervat ekzistuese të kapitalit dhe likuiditetit, së bashku me kapacitetin për gjenerimin e të ardhurave, sigurojnë vazhdimësinë e funksionimit të sektorit financiar dhe aftësinë e tij për të vazhduar mbështetjen e aktivitetit ekonomik edhe në kushte më sfiduese. Gjithashtu, rezultatet e stres-testimeve kanë konfirmuar se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm edhe nën skenarë të rënduar makroekonomikë dhe financiarë.

Raporti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e politikës makroprudenciale të BQK-së, e cila synon identifikimin në kohë të rreziqeve sistemike dhe forcimin e rezervave mbrojtëse të sektorit financiar. Kjo qasje kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe krijon parakushte për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

Njëkohësisht, raporti ka evidentuar progresin e vazhdueshëm në forcimin e qëndrueshmërisë operacionale dhe kibernetike, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare. Këto zhvillime rrisin sigurinë, efikasitetin dhe besimin në sistemin financiar, duke forcuar aftësinë e tij për t’iu përshtatur rreziqeve dhe sfidave në zhvillim.

Megjithë zhvillimet pozitive, raporti paraqet perspektivën dhe ekspozimin ndaj pasigurive nga mjedisi i jashtëm, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të cilat kërkojnë vëmendjen e duhur institucionale.

Në përputhje me mandatin e saj ligjor, BQK-ja do të vazhdojë të zbatojë politika të kujdesshme mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të identifikojë me kohë rreziqet potenciale dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar. Gjithashtu, BQK-ja synon të forcojë më tej qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe të krijojë kushte të favorshme për rritje ekonomike të qëndrueshme.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka…