Gjini i përgjigjet Kurtit: Më mirë ia di emrin gjermanit se sa Aleancës, Kosovës i duhen vendime e jo konferenca politike

04 gusht 2026 | 23:38

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i ka kthyer një përgjigje të ashpër dhe me ironi deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili pas takimit me LDK-në u shpreh se kreu i Aleancës “u vetëpërjashtua”, duke ia gabuar madje edhe emrin e ri të partisë disa herë radhazi.

Gjatë intervistës së tij në emisionin Rubikon Gjini u shpreh se ky veprim tregon mospërfillje dhe mungesë vëmendjeje nga ana e kreut të ekzekutivit.

“Po du me besu që është i pavëmendshëm edhe nuk e ka kuptu. Po du me u tallë pak. Më mirë ia din emrin atij gjermanit që i ka thënë atij e këtij, se sa partive në Kosovë,” deklaroi Gjini.

Kreu i Aleancës nënvizoi se në vend të retorikës politike dhe konferencave të kota, Kosova ka nevojë për vendime konkrete ekonomike dhe për një sjellje prej burrështetasi.

“Ka qenë dashtë sjellje prej burrështetasi, nëse ky del në konferencë. Edhe sot po mendoj që bujqve që e punojnë tokën duhet me iu heq tatimin në pronë, po mendoj që bizneseve familjare duhet me ua ngrit pragun e TVSH-së, po besoj që Kosova nuk guxon me dënu veten me mbet në terr e me ble energji prej Serbisë, po besoj që duhet me e përmbyllë infrastrukturën që e kemi nisë, po kemi me bë zgjidhje për Prishtinën,” shtoi ai.

Gjini, i cili udhëheq një nga komunat me rritjen më të madhe ekonomike në vend, akuzoi kryeministrin për bojkot total të pushtetit lokal dhe për bllokim të qëllimshëm të projekteve kapitale.

“Prej vitit 2020, Albin Kurti është kryeministër, përjashto gjashtë muaj, asnjëherë nuk ka kërku takim me mu në komunë. Është një ndër komunat kryesore të Kosovës që ka mbërri për pak vjet me i trefishu të hyrat. Një komunë që për një kohë ka dalë gjysma e eksportit të Kosovës. Për shtatë vite s’ka kërku takim, e s’ka nisë asnjë projekt domethënës,” deklaroi ai, duke hedhur poshtë edhe pretendimet e eksponentëve të pushtetit si Dimal Basha për investime në terren. “Tash e çon Dimal Bashën, po s’është e vërtetë, shkon te rruga ‘Bujar Roka’ ku i kanë ndalë fondet për tre vite. Për shtatë vite s’ka mbërri me nisë asnjë projekt të vetëm, as nuk ka kërku me u taku me mu.”

Në mbyllje të reagimit të tij, Ardian Gjini theksoi se përvoja e tij e gjatë institucionale në të gjitha nivelet e shtetndërtimit ia jep legjitimitetin dhe përgatitjen e plotë për të sfiduar dështimet e qeverisë aktuale.

“Pse jam kryetar komune mburrem. Unë kam qenë edhe asamblist, kam qenë drejtor komunal, nënkryetar komune, jam kryetar, kam qenë deputet, kam qenë ministër, i kam këshillu tre kryeministra. Çka do që ka qenë detyrë politike e kam bë, këto detyra mua më kanë pasuru. Ndihem i përmbushur se kam kaluar çdo hallkë të pushtetit,” përfundoi Gjini në Rubikon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rreth tri orësh ka përfunduar takimi Kurti-Abdixhiku, ku takime…