Gjykata Supreme shfuqizon Udhëzimin Administrativ për gradimin e zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës mbetet pa të drejtë ankese

04 gusht 2026 | 13:38

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesëpadinë e paditëses Valbone Zuka nga Pozherani i Vitisë dhe të palës së interesit Valbone Salihu, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë. Sipas aktgjykimit P.A.nr.16/2026, padia ishte ushtruar kundër Policisë së Kosovës, e cila në këtë procedurë përfaqësohej nga Avokatura Shtetërore. Pas shqyrtimit publik të mbajtur më 28 korrik 2026, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Faton Ademi (kryetar), Delushe Halimi dhe Lumni Sallauka vendosi ta aprovojë padinë si të bazuar, shkruan Epoka e re.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 26 maj 2026. Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata vlerëson se dispozitat e kontestuara të këtij udhëzimi administrativ nuk ishin në përputhje me Ligjin për Policinë dhe cenonin parimet e meritokracisë, pasi krijonin mundësinë që zyrtarët policorë të fitonin dy grada njëherazi, pa përmbushur kriteret e përvojës së nevojshme në gradën paraprake. Po ashtu, Gjykata thekson se ky sistem cenonte hierarkinë organizative të Policisë së Kosovës, parimin e barazisë në konkurrim dhe proporcionalitetin, ndërsa nuk mbështetej në një analizë të arsyetuar të nevojave organizative.

Në dispozitivin e aktgjykimit, Gjykata Supreme vendosi:

* të aprovojë padinë si të bazuar;

* të shpallë të paligjshëm dhe të shfuqizojë në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026;

* secila palë t’i bartë shpenzimet e veta procedurale;

* aktgjykimi të publikohet në Gazetën Zyrtare në të njëjtën mënyrë si ishte publikuar akti i kontestuar.

Një nga pjesët më të rëndësishme të këtij vendimi është këshilla juridike në fund të aktgjykimit, ku thuhet qartë se kundër këtij aktgjykimi nuk lejohet ankesë, në bazë të nenit 10, paragrafi 4 të Ligjit për Konfliktet Administrative. Kjo nënkupton se Policia e Kosovës, si palë e paditur në këtë rast, nuk ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin me ankesë, ndërsa aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit të tij me arsyetim dhe është i detyrueshëm për zbatim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një influencere nga Los Anxhelosi, e akuzuar se përdorte aplikacionet…