Kosova s’është pjesë e eurozonës, por qytetarët e saj mund të votojnë për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro
Qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të japin mendimin e tyre për pamjen e ardhshme të kartëmonedhave euro, në kuadër të konsultimit publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas mediumit kroat tportal.hr, BQE ka përzgjedhur 10 propozimet finale për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, pas një konkursi ku janë dorëzuar më shumë se 1.200 punime. Propozimet bazohen në dy tema kryesore: “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe shpendët”.
Ky medium shkruan se, ndonëse mund të pritej që në këtë proces të merrnin pjesë vetëm qytetarët e vendeve të eurozonës, konsultimi publik është i hapur edhe për qytetarët e Kosovës, Malit të Zi, Andorrës, Monakos, Vatikanit dhe San Marinos.
Mediumi kroat i referohet një përgjigjeje të Bankës Kombëtare të Kroacisë, sipas së cilës anketa online është e hapur për të gjithë personat në Evropë, çka nënkupton se mund të marrin pjesë edhe qytetarët e vendeve që nuk janë pjesë e eurozonës.
Ndërkohë, edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) u ka bërë thirrje qytetarëve të përfshihen në këtë konsultim publik.
Në një njoftim zyrtar, BQK ka bërë të ditur se BQE ka prezantuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro dhe ka hapur konsultimin publik, duke ftuar qytetarët të shprehin preferencat e tyre për dizajnin e ardhshëm.
BQK thekson se, meqenëse euro është valuta zyrtare e Republikës së Kosovës, kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për qytetarët e vendit.



