Trumpi përplaset me gjigantët e naftës pas luftës me Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar kompanive të mëdha të naftës që të ndërmarrin hapa për uljen e çmimeve të karburanteve, duke i akuzuar se kanë përfituar shumë nga rritja e çmimit të naftës gjatë luftës me Iranin.
Trumpi ka kritikuar veçanërisht kompanitë “Chevron” dhe “ExxonMobil”, duke deklaruar se ato kanë përfituar ndjeshëm nga rritja e çmimeve të naftës, pasi lufta ka ndikuar në furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai ka deklaruar se, nëse konflikti me Iranin përfundon, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm. “Kanë fituar shumë para, shumë para. ‘Chevron’ shumë, ‘ExxonMobil’ gjithashtu shumë”, ka deklaruar Trump, duke kërkuar që kompanitë të ulin çmimet për konsumatorët. Çmimi ndërkombëtar i naftës Brent ka rënë me më shumë se 4 për qind të hënën, duke shkuar në rreth 84 dollarë për fuçi, pas shpresave për përparim diplomatik në zgjidhjen e konfliktit.
Megjithatë, çmimet mbeten më të larta se para nisjes së luftës. Sipas një sondazhi të fundit të “CBS News”, rreth gjysma e amerikanëve kanë deklaruar se rritja e çmimeve të karburanteve po u shkakton vështirësi financiare.
Kompania “ExxonMobil” ka refuzuar të komentojë, ndërsa “Chevron” nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare. Sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), çmimi i naftës bruto përbën rreth 51 për qind të kostos së një litri karburant, duke qenë faktori kryesor që ndikon në çmimin final për konsumatorët.



