Mungesa e kushteve të sigurisë në punë, emrat e 13 kompanive ndërtimore të cilave Inspektorati ua ndaloi punimet

05 gusht 2026 | 16:56

Dy javë pasi Inspektorati Qendror i Punës njoftoi se kishte ndaluar punimet në 13 kompani të ndërtimit në Prishtinë dhe Fushë Kosovë për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë, Insajderi ka siguruar vendimet në të cilin figurojnë emrat e kompanive ndaj të cilave janë dhënë rekomandime për përmirësimin e kushteve për një javë afat kohor.

Sipas vendimeve, punimet janë ndaluar përkohësisht deri në eliminimin e parregullsive të evidentuara nga inspektorët e punës.

Në dokument përmenden, ndër të tjera, mungesa e skeleve mbrojtëse, mungesa e rrethojave mbrojtëse, mungesa e parmakëve në shkallë, mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorët, mungesa e shenjave paralajmëruese të rrezikut, si dhe parregullsi të tjera që, sipas inspektorëve, paraqesnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Kompanitë e përfshira në vendim janë: City Invest Group, Al Fest Shpk, Albioni Shpk, Nexhmedin Bujupi B.I., Emar Shpk, Behluli Construction, BK-Construction Shpk, Al Fest Holding Shpk, Erea Home Shpk, Kluna Bau Shpk, EB Construction, Xhevahir Group Shpk, Fortis Build Shpk.

Në njoftimin e publikuar dy javë më parë, Inspektorati Qendror i Punës kishte bërë të ditur se gjatë inspektimeve në këto kompani në Prishtinë dhe Fushë Kosovë ishin konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore që, sipas vlerësimit të inspektorëve, paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Për këtë arsye, Inspektorati kishte marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, duke theksuar se puna mund të rifillojë vetëm pasi të eliminohen të gjitha parregullsitë e evidentuara dhe të përmbushen kushtet e kërkuara të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Arben Rogova Historia e Kosovës nuk është ndërtuar vetëm…