UShAF kërkon përkrahjen e ambasadave dhe partnerëve ndërkombëtarë: Mos lejoni që ministri Hajrulla Çeku ta mbyllë universitetin
UShAF, që drejtohet nga Rektori Agron Bajraktari ka kërkuar përkrahjen e ambasadave dhe partnerëve ndërkombëtarë, që të mos lejojnë ministrin e MASHT-it Hajrulla Çeku ta mbyllë universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. USHAF iu është drejtuar:
Ambasadave të vendeve partnere në Republikën e Kosovës;
Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë;
Organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështesin zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin demokratik të Republikës së Kosovës.
Të nderuar Ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian,
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj po ju drejtohet me respekt të veçantë dhe me besimin se partneriteti shumëvjeçar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta: sundimin e ligjit, demokracinë, transparencën, arsimin cilësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Sot, këto vlera po përballen me një sfidë serioze.
Sipas dokumenteve të planifikimit buxhetor për vitet 2027–2029, të proceduara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila udhëhiqet nga ministri Hajrulla Çeku, në Ministrinë e Financave, Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk i është planifikuar financim në asnjërën kategori buxhetore për vitin 2027.
Nëse ky planifikim mbetet në fuqi gjatë procesit të miratimit të buxhetit, universiteti nuk do të ketë mundësi ta vazhdojë funksionimin nga 1 janari 2027.
Kjo do të nënkuptonte mbylljen faktike të universitetit, ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për stafin akademik dhe administrativ, si dhe ndërprerjen e studimeve për më shumë se 2.000 studentë.
Ky nuk është vetëm një problem institucional. Ky është një problem që prek të drejtën për arsim, zhvillimin ekonomik, besimin në institucionet publike dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është universiteti i vetëm publik i shkencave të aplikuara në Republikën e Kosovës.
Ai është ndërtuar mbi modelin evropian të universiteteve të orientuara drejt praktikës, inovacionit dhe bashkëpunimit me industrinë.
Që nga themelimi si universitet publik në vitin 2015, institucioni ynë ka dëshmuar se cilësia ndërtohet me punë, përgjegjësi dhe integritet.
Në vetëm njëmbëdhjetë vjet kemi:
fituar akreditim institucional pesëvjeçar;
akredituar të gjitha programet e studimit;
ndërtuar modelin më të avancuar të bashkëpunimit me industrinë në Kosovë;
siguruar punësim të lartë të studentëve gjatë ose menjëherë pas studimeve;
fituar projekte ndërkombëtare;
ndërtuar partneritete me universitete prestigjioze evropiane;
marrë pjesë në aleanca dhe rrjete akademike evropiane, përfshirë EURASHE dhe E³UDRES²;
kaluar të gjitha auditimet, inspektimet dhe proceset e akreditimit pa asnjë vërejtje institucionale.
Pavarësisht se kemi funksionuar me numrin më të vogël të të punësuarve ndër universitetet publike të Kosovës dhe me ngarkesën më të lartë mësimore të stafit akademik, kemi arritur të ndërtojmë një institucion që sot konsiderohet model i arsimit të aplikuar në vend.
Këto nuk janë pretendime, por rezultate të dokumentuara, të verifikuara nga institucionet përgjegjëse dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Për këtë arsye, planifikimi i një buxheti zero për një universitet me këto rezultate ngre shqetësime serioze lidhur me proporcionalitetin, transparencën dhe bazueshmërinë e këtij vendimi.
Të nderuar partnerë,
Për më shumë se dy dekada, shtetet tuaja dhe organizatat që përfaqësoni kanë investuar në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Keni mbështetur zhvillimin e arsimit të lartë, ngritjen e kapaciteteve akademike, mobilitetin ndërkombëtar, sigurimin e cilësisë, kërkimin shkencor dhe integrimin evropian të universiteteve tona.
Edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është ndërtuar dhe zhvilluar mbi këto parime, prandaj, rreziku i mbylljes së tij nuk prek vetëm një institucion publik.
Ai prek një model universitar që është zhvilluar në frymën e standardeve evropiane dhe me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
Ne besojmë fuqishëm se universitetet nuk janë shpenzim buxhetor.
Ato janë investimi më i rëndësishëm që një shtet bën për të ardhmen e tij.
Ato krijojnë profesionistë, zhvillojnë ekonominë, nxisin inovacionin, forcojnë demokracinë dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi ndërkombëtar.
Mbyllja e një universiteti publik nuk do të ishte vetëm humbje për komunitetin akademik të Ferizajt, por do të ishte një humbje për arsimin e lartë të Kosovës dhe një sinjal shqetësues për të gjithë ata që kanë investuar në zhvillimin institucional të vendit.
Për këtë arsye, me respekt, ju bëjmë thirrje ta ngrini zërin publik në mbrojtje të arsimit të lartë publik në Republikën e Kosovës.
Ju ftojmë që, në frymën e partneritetit që kemi ndërtuar ndër vite me Republikën e Kosovës:
të shprehni publikisht shqetësimin tuaj për rrezikun e mbylljes së Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj;
të inkurajoni institucionet e Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojnë planifikimin buxhetor dhe të garantojnë vazhdimësinë e funksionimit të universitetit;
të mbështesni dialogun institucional, transparencën dhe vendimmarrjen e bazuar në ligj, meritë dhe rezultate;
të riafirmoni rëndësinë që arsimi i lartë publik ka për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe evropian të Kosovës.
Universiteti ynë nuk kërkon trajtim të privilegjuar, nuk kërkon favore, nuk kërkon mbështetje politike.
Universiteti ynë kërkon vetëm që një institucion publik me rezultate të dëshmuara të mos shuhet përmes një vendimi buxhetor, pa një proces transparent, pa një argumentim profesional dhe pa një debat institucional.
Besojmë se mbështetja juaj publike do të ishte një kontribut i rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve që së bashku kemi promovuar për shumë vite: sundimin e ligjit, arsimin cilësor, barazinë e trajtimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Historia e Kosovës është ndërtuar me mbështetjen e miqve të saj, ndërsa arsimi i saj është forcuar falë këtij partneriteti.
Sot, ky partneritet ka mundësinë të mbrojë një institucion që ka dëshmuar se i shërben interesit publik, rinisë dhe të ardhmes së vendit.
Mbi dy mijë studentë, dhjetëra profesorë, qindra familje dhe një model unik universitar presin që arsyeja, dialogu institucional dhe përgjegjësia publike të mbizotërojnë.
Ne vazhdojmë të besojmë te institucionet e Republikës së Kosovës.
Vazhdojmë të besojmë te dialogu.
Vazhdojmë të besojmë se vendimmarrja do të bazohet në ligj, në fakte dhe në interesin publik.
Universitetet nuk mbyllen. Universitetet mbrohen.



