Albin Kurti takohet me Erdoganin, diskutojnë edhe për aktgjykimin e Speciales
Kryeministri Albin Kurti është takuar në New York me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin, mes tjerash, ka diskutuar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e ka cilësuar të padrejtë juridikisht dhe moralisht, si dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht.
“Me Presidentin Erdoğan diskutova edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti.
Në takim, kryeministri ka thënë se e ka falënderuar Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, përfshirë diplomacinë, fuqizimin ushtarak, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësim në NATO.
“Kosova me Turqinë kanë vazhduar forcimin dhe rritjen tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka thënë se janë rritur edhe investimet në Kosovë, duke përmendur nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec, në bashkëpunim me kompani nga Turqia.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe kontributin e saj për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, kanë ngritur edhe çështjen e diskriminimit të vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje.
“Simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë”, ka thënë ai.
Në fund, kryeministri ka bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdoğan për vizitë në Kosovë.



