Gjini: Kosova po hyn në një nga momentet më kritike, situata është ‘grusht shteti i brendshëm’
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar situatën e krijuar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës si një nga momentet më kritike në historinë e vendit, duke akuzuar pushtetin për uzurpim të institucioneve dhe krijim të një krize të thellë kushtetuese.
Gjini, në një konferencë për media, është shprehur se Kosova aktualisht ndodhet pa institucione funksionale dhe se zhvillimet e fundit, sipas tij, përbëjnë “grusht shteti të brendshëm”.
“Ne e kemi parë të rëndësishme që sot m’ju drejtu qytetarëve të Kosovës përmes jush, për shkak se situata politike, kushtetuese dhe e gjithëmbarshme në Kosovë ka hyrë në një moment i cili mundet me qenë ndër më kritikët në historinë e Kosovës. Ajo që po shohim sot është një uzurpim total i pushtetit në Kosovë. Sot Kosova nuk ka president, nuk ka as ushtrues detyre të presidentit. Kosova nuk ka kryetar kuvendi, nuk ka as nënkryetar kuvendi. Kosova nuk ka kryeministër legal, as kryeministër në detyrë legal. Nuk ka as ministra legal, e ka vetëm një person i cili e ka uzurpu pushtetin në Kosovë”, është shprehur ai.
Ai është shprehur se situata aktuale nuk ka precedent dhe se vendi ka ardhur në këtë pikë pas një vargu zhvillimesh politike që, sipas tij, kanë cenuar Kushtetutën.
Gjini ka përmendur edhe proceset pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe zgjedhjet e mëvonshme, duke pretenduar se vonesat në krijimin e institucioneve kanë sjellë një krizë të përsëritur politike.
“Kemi shku në zgjedhjet e dhjetorit, të cilat zgjedhje ia ka dhënë Vjosa Osmanit si presidente duke shpresuar që e bën presidenten edhe njëherë, atëherë kur i ka desh. Edhe pse i ka marrë përndryshe 50% të votave, prapë nuk ka mbrri me i kriju institucionet. Ju kujtohet juve të gjithëve që njëherë thoshte 86 vota, se nuk i mjaftonin 81, njëherë thoshte këtë e bën, atë s’e bën, edhe prapë kemi shku në zgjedhje. Cilat? Zgjedhjet e treta për më pak se një vit e gjysmë”, është shprehur Gjini.
Sipas tij, ndërprerja e seancës konstituive nuk ka arsye shtetërore dhe përbën një veprim të papranueshëm institucional.
“Ndërsa sot, pa asnjë arsye logjike, pa asnjë arsye shtetformuese, pa asnjë arsye patriotike, prapë hyjmë në krizë institucionale. Unë duhet me thënë që nuk ka emër tjetër kjo situatë përpos se grusht shteti i brendshëm, grusht shteti i cili nuk realizohet prej falangave ushtarake, po prej njerëzve të cilët në mënyrën më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë demokratik për me i uzurpu institucionet e shtetit”, është shprehur ai.
Kryetari i Aleancës është shprehur se qëllimi i zhvillimeve të fundit është krijimi i konfuzionit dhe bartja e përgjegjësisë te partitë opozitare.
“Duhet me thënë që para dy ditëve i kam paralajmëruar qytetarët e Kosovës se kjo është ajo që mundet me ndodh, për shkak se ne i shohim veprimet, i kemi dëgju, edhe e kemi kuptuar që krejt çka është tu u bë sot, ky regjim, është me provu me kriju mjegull edhe me provu me hudh fajin aty ku nuk është, me hudh fajin te partitë politike për moskrijimin e institucioneve edhe me zvarritë prapë procesin”, ka thënë Gjini.
Ai është shprehur se nuk e di motivin e veprimeve të kryeministrit në detyrë, por sipas tij, me kalimin e kohës do të bëhet e qartë arsyeja e tyre.
“Ajo që nuk mundem me saktësi me e ditë është cili është qëllimi i këtij personi. Pse ia bën kështu vendit të vet? Pse ia bën kështu popullit të vet, atij populli që po e voton? Këtë nuk mundem me e pasë të qartë, mundemi me spekulu, po një ditë secili prej nesh kemi me e pasë të qartë pse dikush ia bën vendit të vet këtë që po e bën”, ka shtuar Gjini. /EO



