Kurti: Për mua janë të vlefshme të gjitha pozitat, dua të diskutoj për kryeministrin, presidentin dhe kryeparlamentarin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Duke folur për procesin e formimit të institucioneve të reja, Kurti ka thënë se të gjitha pozitat shtetërore janë të rëndësishme, ndonëse kanë përgjegjësi të ndryshme.
“Unë besoj që secila pozitë është e rëndësishme, ndonëse se nuk janë të njëjta për nga përgjegjësia, ato janë të rëndësishme dhe janë të vlefshme. Prandaj për mua të gjitha pozitat janë të vlefshme të rëndësishme, ndonëse s’janë të njëjta, edhe kryeparlamentar, edhe kryeministër edhe president. Dhe unë dua që t’i diskutoj të gjitha këto me ta”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Vetëvendosje, sipas tij, ka bërë një kompromis më herët duke tërhequr kandidaturat e saj për president në procesin e kaluar.
“VV’ja në pranverë e ka bërë një konsension të madh e ka tërhequr Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun, nga kandidatura për president, ne jemi subjekti më i madh politik, dhe ne nuk e kemi pasur kandidatin tonë, sepse e kemi tërhequr”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se në atë kohë opozitës i ishte kërkuar të propozonte emra për president, ndërsa Vetëvendosje ishte shprehur e gatshme për t’i mbështetur.
“I thamë opozitës propozona tre emra, ne ua bëmë edhe nënshkrimet për aplikim edhe votat për zgjedhje, nuk ndodhi”, ka thënë Kurti.



