Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin çon drejt shpërndarjes së re

06 gusht 2026 | 13:17

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për diskutime mes partive politike pas ndërprerjes së seancës së konstituimit të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për çështjen e presidentit do të mund të çonte drejt shpërndarjes së re të Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme.

“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje paraprakisht për çështjen e presidentit do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë për konstituimin e institucioneve tona”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se institucionet e reja duhet të formohen vetëm pas arritjes së një dakordimi për pozitën e presidentit.

“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutim dhe vetëm atëherë kur të kemi arritur dakordime për çështjen e presidentit të konstituohen institucionet. Herën e kaluar e pamë që pa gjetur zgjidhje për presidentin pati vështirësi”, është shprehur Kurti.

Kurti ka bërë të ditur se është i gatshëm të vazhdojë komunikimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa ka ftuar edhe partitë e tjera për takim.

“I bëj thirrje kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinit, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohemi dhe të bisedojmë”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, nëse pozita e kryetarit të Kuvendit dhe qeveria janë përgjegjësi e shumicës parlamentare, çështja e presidentit duhet të trajtohet si përgjegjësi më e gjerë politike.

“Presidenti është përgjegjësi edhe e AAK-së edhe e LDK-së”, ka theksuar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kitaristi Flamur Prapashtica do të jetë pjesë e projektit muzikor…