Messi shënon golat e parë pas Kupës së Botës në fitoren e Inter Miamit (video)
Lionel Messi ka realizuar dy golat e parë pas Kupës së Botës, duke udhëhequr Inter Miamin drejt fitores 4-2 ndaj Atletico San Luis në Kupën e Ligës.
Skuadra amerikane e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi David Rodriguez kaloi San Luisin në epërsi në minutën e katërt. Megjithatë, Messi barazoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa në minutën e 44-t shënoi golin e dytë personal për përmbysjen e rezultatit.
Për Inter Miamin realizuan edhe Telasco Segovia dhe mbrojtësi Micael, ndërsa Noah Allen kontribuoi me tri asistime. Për skuadrën meksikane shënoi edhe Rafa Llorente, por pa arritur të shmangë humbjen.
Ndeshja në stadiumin “Nu” u ndërpre për rreth 30 minuta në pjesën e dytë për shkak të stuhive në zonë.
Me këtë fitore, Inter Miami e zgjati në tetë ndeshje serinë pa humbje. Messi u rikthye në formacionin titullar në paraqitjen e tij të dytë pas Kupës së Botës, ku Argjentina humbi finalen ndaj Spanjës me rezultat 1-0.
Me dy golat ndaj Atletico San Luis, 39-vjeçari ka arritur në 14 gola në 12 paraqitje në Kupën e Ligës, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni. Përveç golave, Messi regjistroi edhe një asistim për golin e Micael.
Ndërkohë, Luis Suarez mungoi për Inter Miamin për shkak të pezullimit prej gjashtë ndeshjesh pas finales së vitit të kaluar ndaj Seattle, të cilën Miami e humbi 3-0.



