Vdes ish-ushtari i UÇK-së, u gjet i plagosur me armë zjarri në Lipjan
Ka ndërruar jetë Fatmir Olluri, 52-vjeçar nga Dobraja e Madhe e Lipjanit dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi ishte gjetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit në Lipjan, ku Olluri është gjetur i plagosur. Ai fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë me dy fishekë.
Policia ka njoftuar se më 5 gusht, rreth orës 18:45, 52-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet si “Hetim mbi vdekjen”.
Lajmi për vdekjen e Ollurit ka nxitur reagime të shumta. Dega e PDK-së në Lipjan, përmes kryetarit Shukri Buja, ka shprehur ngushëllime për familjen e tij, duke kujtuar se Olluri ishte kthyer vullnetarisht nga Gjermania për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së gjatë luftës dhe më pas kishte vazhduar angazhimin e tij në jetën publike.



