AKB: Interesat partiake po e mbajnë peng shtetin, ndërsa ekonomia dhe qytetarët po paguajnë faturën

07 gusht 2026 | 18:42

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin e saj të thellë për vazhdimin e bllokadës institucionale, e cila po prodhon pasoja serioze për ekonominë, bizneset dhe perspektivën zhvillimore të Republikës së Kosovës.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se është e papranueshme që për shkak të interesave të ngushta partiake, kalkulimeve politike dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore, Kosova të vazhdojë të mbetet pa institucione plotësisht funksionale.

“Ky ngërç nuk është më vetëm një problem politik, por është shndërruar në një krizë ekonomike që po dëmton çdo ditë klimën e investimeve dhe besimin e sektorit privat”.

“Investitorët vendorë po shtyjnë zgjerimin e bizneseve të tyre, ndërsa investitorët e huaj po hezitojnë të investojnë në një vend ku mungojnë stabiliteti politik, siguria juridike dhe vendimmarrja institucionale. Çdo ditë e humbur nënkupton investime të humbura, vende pune të parealizuara dhe mundësi të humbura për zhvillimin e Kosovës”, ka theksuar Shahini.

Ai ka thënë se AKB vlerëson se partitë politike nuk kanë mandat për ta mbajtur peng shtetin dhe ekonominë.

“Ato janë zgjedhur për të ndërtuar institucione funksionale, për të garantuar stabilitet dhe për të mbrojtur interesin publik, e jo për ta thelluar krizën në funksion të interesave partiake. Nëse kjo situatë vazhdon, dëmet ekonomike do të jenë shumë më të mëdha se sa përfitimet politike afatshkurtra të cilat mund t’i synojë secila parti. Humbësi më i madh do të jetë qytetari i Kosovës, biznesi vendor dhe e ardhmja ekonomike e vendit”.

“AKB u bën thirrje të gjitha forcave politike që të lënë mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të veprojnë me përgjegjësi për funksionalizimin e institucioneve. Kosova ka nevojë për stabilitet, besim, investime dhe zhvillim ekonomik – jo për bllokada të pafundme politike. Historia nuk do t’i gjykojë partitë politike nga interesat që i mbrojtën, por nga dëmet që i shkaktuan shtetit, ekonomisë dhe qytetarëve të Kosovës”, tha në fund Agim Shahini kryetar i AKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Arton Demhasaj ka reaguar ashpër lidhur me seancën e…