Bajqinovci: Takimet me LDK-në do të vazhdojnë, presim marrëveshje politike
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka shprehur besimin se bisedimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë me një marrëveshje politike, me qëllim që vendi të shmangë zgjedhjet e reja.
Bajqinovci ka thënë se Vetëvendosje është e interesuar që institucionet të formohen sa më shpejt dhe ka shprehur pritjen që edhe opozita të reflektojë, raporton Ekonomia Online.
“Nuk e di, nuk kam diçka të konfirmuar ende, por besoj që takimet kanë me vazhdu dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje. Ne jemi të hapur, e ka thënë edhe kryeministri dje në deklaratën e tij, që jemi shumë të interesuar që vendi të mos shkojë në zgjedhje dhe po besoj që opozita do të reflektojë dhe do ta kemi përbërjen komplete: presidentin. Për qeverinë kemi votat, edhe për kryetarin e Kuvendit, por e kemi lënë hapur që të merremi vesh”, ka thënë ai.
I pyetur për afatin kushtetues dhe pasojat e mundshme pas mesnatës, Bajqinovci është shprehur se nuk pret pasoja dhe ka thënë se beson se ende ka hapësirë për marrëveshje.
“Unë nuk besoj që edhe pas 12-ve ka ndonjë pasojë. Besoj që edhe në ditët në vazhdim do të ketë mundësi që të kemi një… Nuk besoj, nuk ka nevojë, por presim që të kemi marrëveshje politike dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje”, është shprehur ai.
Bajqinovci nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimeve të reja ndërmjet palëve, ndonëse ka thënë se nuk ka informacion të konfirmuar.
“Nuk e di, nuk e mohoj, por mund të ketë. Takimet do të vazhdojnë, nuk duhet të ndalen dhe kryeministri e ka thënë këtë”, ka deklaruar Bajqinovci. /EO



