Latifi: Largimi i Ali Ahmetit nga pushteti ishte marrëzi, historia shqiptare do ta mbajë mend
Profesori universitar Blerim Latifi, ka vlerësuar se largimi nga pushteti i liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, përbën një gabim historik me pasoja për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi në “Facebook”, Latifi e ka cilësuar Ahmetin si “mohikanin e fundit” të platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Turravrapi nga brenda Maqedonisë dhe nga disa qarqe politike të Kosovës për ta defaktorizuar e larguar nga pushteti ishte një marrëzi, që historia shqiptare do ta mbajë mend pikërisht si të tillë. Kjo marrëzi suicidale ua hapi rrugën e sigurt sllavëve maqedonas për të filluar procesin e përmbysjes graduale të krejt asaj që arritën shqiptarët pas vitit 2001. Sot, forcat e rezistencës shqiptare kundër këtij procesi në Maqedoni janë fare të pakta”, ka shkruar Latifi.
Ai është shprehur se Ahmeti, si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe themelues e drejtues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ka përfaqësuar një projekt politik të ndërtuar mbi idealet e Rilindjes Kombëtare.
Sipas Latifit, përpjekjet për ta defaktorizuar dhe larguar Ahmetin nga pushteti, si nga brenda Maqedonisë së Veriut ashtu edhe nga disa qarqe politike në Kosovë, kanë qenë një veprim i gabuar që, sipas tij, do të mbahet mend nga historia.
Ai është shprehur se kjo, sipas tij, u ka krijuar hapësirë forcave politike maqedonase për të nisur një proces të zhbërjes graduale të arritjeve të shqiptarëve pas konfliktit të vitit 2001.
Në reagimin e tij, Latifi ka vlerësuar se aktualisht rezistenca shqiptare ndaj këtij procesi është e dobët, ndërsa ka shprehur shqetësimin për ndikimin që, sipas tij, po ushtrojnë nacionalizmi maqedonas dhe ideologjitë fetare në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Latifi ka bërë një krahasim me shqiptarët e Novi Pazarit dhe Malit të Zi, duke paralajmëruar se, sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të përballen me pasoja të ngjashme në aspektin e identitetit kombëtar.
“Nacionalizmi maqedonas, në aleancë me ideologjinë e Muslim Brotherhood, e cila ka shtrirë tentakulat e saj në çdo pore të popullatës shqiptare, janë duke e varrosur nacionalizmin shqiptar në Maqedoni. Një ditë do të vajtojmë për ta, ashtu siç vajtojmë sot për shqiptarët e Novi Pazarit dhe të Malit të Zi, të cilët kombinimi i fesë me politikën diskriminuese serbe e malazeze i kishte shndërruar nga shqiptarë në boshnjakë.”, ka shkruar Latifi.



