Mehmetaj: Raporti i AUV-së dëshmon se Armend Muja ka gënjyer për qumështin VITA – kompania mund ta padisë Ministrinë për dëmtim të imazhit

07 gusht 2026 | 22:22

Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër pas publikimit të raporteve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat tregojnë se në mostrat e qumështit dhe jogurtit të kompanisë VITA nuk është konstatuar prani e vajit të palmës, qumështit pluhur apo niseshtes.

Në një postim në rrjetet sociale, Mehmetaj ka rikujtuar deklaratat e mëhershme të deputetit Armend Muja dhe të kryeshefit të AUV-së, të cilët kishin bërë publike pretendimet se në qumështin VITA ishte gjetur vaj palme i padeklaruar.

Ai ka thënë se, duke u bazuar në faktin se deklaratat vinin nga zyrtarë institucionalë dhe kishin të bënin me rezultate teknike, e kishte besuar edhe vetë këtë informacion.

“Kjo nuk është thjesht një deklaratë politike apo një opinion politik, por e dhënë që e rrënon përfundimisht një kompani, lë pa punë qindra a mijëra punëtorë dhe qytetarë të Kosovës dhe është një e vërtetë teknike që nuk mashtrohet dot. Prandaj, e besova edhe vetë këtë informacion”, ka shkruar Mehmetaj.

Sipas tij, rezultatet e detajuara të publikuara nga AUV kanë treguar se në produktet e VITA-s nuk është gjetur as vaj palme dhe as qumësht pluhur.

“Sot paskan dalë rezultatet e detajuara pikërisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe qenka konfirmuar se në fakt në qumështin VITA nuk ka përbërje as të vajit të palmës e as të qumështit pluhur”, ka deklaruar ai.

Mehmetaj ka përmendur edhe faktin se Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte dalë në terren për të larguar produktet që përmbanin vaj palme të padeklaruar, por produktet e VITA-s nuk ishin larguar nga tregu.

“Vetë ministria në njoftim po thotë se qumështin VITA nuk e largon dot nga tregu”, ka shkruar ai.

Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, gazetari ka pretenduar se kompania VITA tashmë mund të ndërmarrë veprime ligjore ndaj institucioneve.

“VITA tash mund ta hedhë në gjyq Ministrinë dhe t’ia fitojë milionat për dëmtim të qëllimshëm të imazhit”, ka shkruar Mehmetaj.

Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, institucionet kanë trajtuar rastin, duke pretenduar se deklaratat e mëhershme kanë dëmtuar një prodhues vendor.

Ndërkohë, sipas raporteve të AUV-së të dorëzuara kompanisë ABRAZEN L.L.C. – Qumështorja VITA, mostrat e qumështit UHT të marra më 3 korrik 2026 nuk kanë treguar prani të qumështit pluhur dhe nuk është identifikuar sasi e shtuar e yndyrës bimore.

Po ashtu, analiza e mostrës së jogurtit të marrë më 13 korrik 2026 është klasifikuar si e rregullt, pa prani të vajit të palmës, qumështit pluhur apo niseshtes.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është plagosur nga arma e zjarrit të premtën…