PDK kërkon seancë sonte, Çitaku: S’bëhemi pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues
PDK, LDK dhe AAK janë mbledhur në grupet e tyre parlamentare dhe po kërkojnë që seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mbahet sonte në orën 22:30.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë dhe institucionet, ndërsa, sipas saj, PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues.
Çitaku tha se Republika dhe demokracia janë më të rëndësishme se çdo lider, ambicie apo interes politik.
“Kosova, Republika, demokracia është pakrahasimisht më e madhe se çdo lider, se çdo ambicie, se çdo ego”, tha ajo.
Tutje, ajo theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po refuzon respektimin e rregullave dhe normave kushtetuese.
“Është e papranueshme dhe ekstremisht e dënueshme nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës çdo përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, demokracia nuk nënkupton vetëm mbajtjen e zgjedhjeve, por edhe respektimin e ligjeve, rregulloreve dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Çitaku bëri me dije se PDK po zhvillon një takim të grupit parlamentar dhe se vendimet e mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të takimit.
“Një gjë ju them me siguri të plotë, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, tha ajo.
Duke folur për Kushtetutën e Kosovës, Çitaku theksoi se ajo nuk duhet parë vetëm si një dokument, por si rezultat i sakrificave të shumta ndër vite.
“Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër. Por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë, mund e sakrificë”, theksoi ajo.
Çitaku i bëri thirrje kreut të VV-së, Albin Kurti, që të vijë në Kuvend dhe të vazhdohet procesi i konstituimit të institucioneve.
“Kosova është më e madhe se çdo parti, se çdo lider. Ju ftoj të ecim përpara”, tha ajo.



