Policia gjen veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një puset në Mitrovicë të Veriut
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një patrullimi rutinë në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicë të Veriut ka gjetur veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi.
Sipas Policisë, zyrtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, rreth orës 13:30, kanë vërejtur një puset të hapur dhe gjatë kontrollit kanë hasur në një qese plastike të zezë. Brenda saj janë gjetur pesë kapela ushtarake me ngjyrë të gjelbër, dy gjoksore ushtarake me vende për municion, një rrip ushtarak, çanta mbajtëse për karikatorë dhe pajisje të tjera për përdorim ushtarak.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që për momentin të mos iniciohet rast penal.
Pajisjet janë sekuestruar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat e mundshëm të përfshirë.



