Ismet Beqiri: LDK-ja të mos bëjë asnjë marrëveshje me “shkelësit e Kushtetutës”

08 gusht 2026 | 20:57

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe ish-deputeti, Ismet Beqiri, ka bërë thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës të mos hyjë në asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me, siç i ka quajtur ai, “shkelësit serik të Kushtetutës” dhe “rrënuesit e shtetit”.

Përmes një reagimi publik, Beqiri ka deklaruar se me shkelësit e Kushtetutës nuk ndërtohet shteti, ndërsa ka shtuar se me rrënuesit e institucioneve nuk mbrohet Republika dhe se autokracia nuk mund të ndërtojë demokraci.

“As bisedime. As marrëveshje. As pjesëmarrje. As bashkëpjesëmarrje në asnjë veprim kundërkushtetues”, ka shkruar ai.

Sipas Beqirit, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të qëndrojë në anën e Republikës, të Kushtetutës dhe të institucioneve demokratike, duke theksuar se shteti nuk mund të jetë “monedhë pazari politik”.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e reja janë një alternativë më e pranueshme sesa, sipas tij, bashkimi me “rrënuesit e shtetit”, pasi një veprim i tillë do ta bënte LDK-në bashkëpërgjegjëse.

Në reagimin e tij, Beqiri ka komentuar edhe zhvillimet në seancën e sotme, duke thënë se ajo dëshmoi se demokracia nuk mbrohet me heshtje dhe se shteti nuk forcohet duke bërë kompromis me ata që shkelin Kushtetutën.

Në fund të mesazhit, ai ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj asaj që e cilëson si autokraci, duke u shprehur se “koha i gjykon të gjithë dhe historia nuk harron”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Donna Dafi po përgatitet për publikimin e videoklipit të…