Kurti për “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë: Po ndërtohet një traditë gjithnjë e më e rëndësishme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për festivalin “Ditët e Shqiptarit”, i cili po mbahet në Gjakovë.
Kurti ka thënë se Gjakova po ndërton një traditë të re kulturore përmes këtij festivali, i cili këtë vit është zhvilluar në hapësira të ndryshme të qytetit dhe përreth tij.
“Gjakova po ndërton traditë mbi traditë, tashmë çdo vit, me ‘Ditët e Shqiptarit’”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se aktivitetet janë zhvilluar nga Parku “Ali Podrimja” deri te Çarshia e Vjetër, si dhe nga Kanioni i Drinit deri në Shkugëz, duke e cilësuar Gjakovën si një vatër të kulturës, traditës dhe artit.
Kurti ka përmendur edhe mbrëmjen e kaluar, ku performuan artistet Dina e Mel nga Kroacia, të cilat përmes muzikës hulumtojnë dhe ruajnë trashëgiminë e Arbëneshëve të Zarës, si dhe këngëtarja Rona Nishliu, e shoqëruar nga Gent Rushi në tastierë, Rinon Hoxha në bas dhe Teoman Ukça në bateri.
“Ishte një mbrëmje ku muzika, kujtesa dhe krijimtaria bashkëkohore u takuan, në një atmosferë që Gjakova di ta krijojë si rrallëkund tjetër”, ka shkruar Kurti.
Ai ka uruar organizatorët, artistët dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në ndërtimin e festivalit, duke e cilësuar atë si një traditë gjithnjë e më të rëndësishme për jetën kulturore të qytetit dhe të vendit.
“Kosovës sonë iu shtuan ‘Ditët e Shqiptarit’, ashtu siç e meriton çdo ditë e shqiptarit: me kulturë e zhvillim, me art e gëzim”, ka përfunduar Kurti.



