Çmimet e naftës rriten lehtë, ndërsa rihapja e ngushticës së Hormuzit duket e largët
Çmimet e naftës janë duke mbetur të larta pasi Irani është shprehur se një marrëveshje e afërt me Omanin për menaxhimin e ngushticës së Hormuzit nuk do të mjaftonte për rihapjen e kësaj rruge ujore jetike. Teherani ka kërkuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të përmbushin një sërë kushtesh.
Nafta “Brent”, standardi global i naftës, është rritur me 0.6 për qind, në 84.03 dollarë për fuçi. “WTI”, standardi amerikan, është rritur lehtë me 0.4 për qind, në 78.49 dollarë për fuçi.
Irani ka kërkuar nga ShBA-ja t’i ndalojë sulmet dhe t’i japë fund bllokadës ndaj porteve iraniane, si dhe të heqë sanksionet, të zhbllokojë asetet iraniane dhe të paguajë kompensim për dëmet e shkaktuara nga lufta.
Lista e kërkesave nuk ndryshon në mënyrë thelbësore nga ato të paraqitura në memorandumin e mirëkuptimit, të cilin ShBA-ja dhe Irani e kanë nënshkruar në qershor. Por toni sugjeron se Teherani mund të jetë duke mbajtur një qëndrim më të ashpër, gjë që mund të vonojë më tej rikthimin e plotë të kalimit të anijeve përmes ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën kalonte një e pesta e furnizimit global me naftë para luftës.
Në të njëjtën kohë, eksportet e naftës së Arabisë Saudite përmes Detit të Kuq dhe ngushticës Bab el-Mandeb janë duke u kërcënuar nga sulmet e grupit të milicisë Huthi, të mbështetur nga Irani, ndaj anijeve në këtë korridor detar, i cili është bërë një alternativë thelbësore ndaj Hormuzit. Rebelët Huthi gjithashtu kanë shënjestruar një rafineri të madhe saudite të naftës në bregdetin e Detit të Kuq të dielën. Çmimet e naftës kanë qenë shumë të paqëndrueshme javët e fundit, mes marrëveshjeve që herë avancojnë e herë dështojnë për rihapjen e ngushticës. Në fillim të korrikut, nafta “Brent” ka rënë në nivelet e fundit të regjistruara para luftës, pranë 70 dollarëve për fuçi, për t’u rikthyer vetëm disa javë më vonë mbi 100 dollarë për fuçi.



