SHBA qetëson NATO-n: Rusia nuk ka asnjë plan lufte kundër Aleancës
Pas muajsh tensionesh midis disa shteteve anëtare të NATO-s dhe Rusisë, për herë të parë një zyrtar amerikan ka deklaruar zyrtarisht se Kremlini nuk ka asnjë plan lufte kundër Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Matthew Whitaker, Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në NATO, gjatë një diskutimi të organizuar nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale në Des Moines, Iowa, tha se Rusia nuk kërkon konflikt me NATO-n, duke shtuar se reagimet e tepërta ndaj incidenteve me dronë në vendet evropiane duhet të shmangen.
“Presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron konflikt me NATO-n,” – u shpreh Whitaker, sipas Associated Press, duke theksuar se alarmizmi i panevojshëm është pikërisht ajo që kundërshtarët e Aleancës do të dëshironin.
Deklarata e tij u bë ndërkohë që një helikopter rus hyri për pak minuta në hapësirën ajrore polake nga enklava e Kaliningradit, duke shkaktuar mobilizim të menjëhershëm nga autoritetet e Varshavës.
Whitaker paralajmëroi se aftësitë ushtarake të shumë shteteve anëtare të NATO-s janë minuar nga iluzioni i paqes që mbizotëroi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke i bërë ato joefektive. “Në thelb, ne kemi nevojë për aleatë me aftësi më të mëdha.
Ne kemi nevojë për aleatë që kanë më shumë në arsenalin e tyre,” – deklaroi ai, duke shtuar se edhe SHBA-ja ka jetuar me iluzione për aftësinë e saj për të zhvilluar një luftë në dy fronte globale.
Zyrtari amerikan zbuloi gjithashtu renditjen e prioriteteve strategjike të Uashingtonit, duke e vendosur Evropën në vendin e katërt pas atdheut, hemisferës amerikane dhe Paqësorit.
“E katërta është Evropa. Kjo nuk do të thotë që ne po e braktisim Evropën. Ne thjesht po u kërkojmë evropianëve të ndërmarrin veprime dhe të balancojnë situatën,” – tha Whitaker.
Ky qëndrim, sipas analistëve, është një mesazh i qartë se Evropa duhet të marrë më shumë iniciativa për mbrojtjen e saj, pa u varur plotësisht nga faktori amerikan, duke e bërë të domosdoshme që vendet evropiane të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të marrin përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e përbashkët.



