Vuçiqi dhe Shesheli bashkë në zgjedhjet parlamentare
“Fyerje për viktimat e Vojisllav Sheshelit”.
Me këto fjalë, Marko Millosavleviq, nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), e ka vlerësuar listën e përbashkët parazgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), që është në pushtet në Serbi, dhe Partisë Radikale Serbe (SRS), të cilën Sheshel e ka themeluar në fillim të viteve ’90.
Sheshel është dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte, përkatësisht për nxitje të përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.
Në listën e kandidatëve të propozuar për deputetë nga Partia Përparimtare Serbe, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, janë përfshirë disa anëtarë të SRS-së ultranacionaliste të Sheshelit.
Mes tyre është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në procedurën për shpërfillje të Tribunalit.
Mekanizmi Rezidual nuk i është përgjigjur kërkesës së “Radios Evropa e Lirë” për të komentuar bashkëpunimin parazgjedhor të SNS-së me radikalët dhe kandidimin e Radetës për deputete.
Dy partitë bashkëpunojnë prej vitesh në nivel lokal, por kjo është hera e parë që garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare që nga themelimi i Partisë Përparimtare Serbe më 2008, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve u largua nga partia e radikalëve të Sheshelit.
Radikalët sot janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian – gjë që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.
Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Çfarë kanë thënë radikalët dhe përparimtarët?
Në fillim të shtatorit, radikalët kanë njoftuar se organet e partisë kanë vendosur që SRS-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kuadër të listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar” dhe ta mbështesë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kryeministër të ardhshëm.
Sipas tyre, partia e ka marrë këtë vendim e udhëhequr nga “politika shtetformuese, në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, si dhe të “ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”.
Kryetari i partisë në pushtet, Millosh Vuçeviq, e ka përshkruar këtë si “bashkim të të gjitha forcave atdhetare dhe patriotike në një listë” në një postim në rrjetin social X.
Ai ka shtuar se një veprim i tillë i SNS-së tregon “përgjegjësi maksimale ndaj shtetit në një kohë kur Serbia përballet me presione të paprecedenta gjeopolitike”.
Sa vota sjellin radikalët?
Dushan Vuçiqeviq, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ka vlerësuar për “Radion Evropa e Lirë” se përfshirja e disa kandidatëve radikalë në listën zgjedhore të SNS-së nuk do t’i sjellë shumë vota partisë në pushtet.
“Radikalët kanë rënë në nivelin e një partie që nuk ka ndonjë ndikim të madh dhe që, praktikisht, nuk mund ta kalojë vetë pragun zgjedhor. Nga ky këndvështrim, nuk shoh ndonjë rezultat të madh nga ky veprim. Sikur SNS-ja të mos e kishte përfshirë në listë, dyshoj se Partia Radikale Serbe do të merrte pjesë në zgjedhje”, ka thënë Vuçiqeviq.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Partia Radikale Serbe ka fituar më shumë se 55.000 vota, apo 1.50 për qind, dhe nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor prej 3%.
Nën prag ka mbetur edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, kur radikalët kanë fituar 82.000 vota, përkatësisht 2.22%.
Përparimtarët dhe radikalët kanë garuar në një listë të përbashkët edhe në zgjedhjet lokale në Beograd, në dhjetor të vitit 2023.
Megjithatë, në atë kohë, përparimtarët kanë thënë se dallimet politike mes tyre ishin tepër të mëdha për të garuar së bashku në zgjedhjet parlamentare, të cilat janë mbajtur po atë ditë.
“Me radikalët nuk do të formojmë qeveri, sepse kemi dallime të konsiderueshme në programet tona”, ka thënë atëkohë Vuçiq.
Në pyetjen se çfarë ka ndryshuar ndërkohë që dallimet programore janë kapërcyer, “REL” nuk ka marrë përgjigje as nga Partia Përparimtare Serbe, as nga Partia Radikale Serbe.
Sipas Vuçiqeviqit, Partia Përparimtare Serbe e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë “njerëz sadopak cilësorë dhe të njohur për t’i përfshirë në listën zgjedhore”.
“Nëse e krahasojmë Qeverinë e fundit të Gjuro Macutit me të mëparshmet, vërejmë se më herët kishim disa profesorë dhe njerëz të njohur në fushat e tyre, ndërsa në Qeverinë aktuale kemi emra të panjohur”, ka thënë Vuçiqeviq dhe ka shtuar:
“Në këtë kuptim, bashkëpunimi me SRS-në përputhet në masë të madhe me profilin e dobët të kandidatëve të SNS-së në këto zgjedhje”.
Në listë, djali i Sheshelit dhe e akuzuara në Hagë
Në vendin e 37-të në listën prej 250 kandidatëve për deputetë të propozuar nga SNS-ja është Aleksandar Sheshel, nënkryetar i Partisë Radikale Serbe, e cila që nga themelimi më 1991 udhëhiqet nga babai i tij, Vojisllav Sheshel.
Shesheli i ri, 32-vjeçar dhe absolvent i Fakultetit Juridik, ka publikuar më 12 shtator në profilin e tij në Instagram fotografi ku shihet duke dhënë nënshkrimin e mbështetjes për listën zgjedhore të Vuçiqit, në selinë e SRS-së në Beograd.
“REL” e ka kontaktuar Aleksandar Sheshelin, por ai ka refuzuar të flasë.
Në mesin e emrave të njohur nga radhët e radikalëve është edhe Vjerica Radeta, nënkryetare e Partisë Radikale Serbe, e cila është renditur e 61-ta në listë.
Ekstradimin e Radetës dhe të kolegut të saj partiak, Petar Jojiq, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual në Hagë ia kërkon Serbisë prej më shumë se një dekade.
Tribunali i Hagës i ka akuzuar ata në tetor të vitit 2012 se kanë ndikuar te dëshmitarët në procesin kundër udhëheqësit të partisë së tyre, Vojisllav Sheshel.
Beogradi zyrtar vazhdon të refuzojë ekstradimin e tyre, me arsyetimin se “nuk ka bazë” për një gjë të tillë, pasi Ligji për bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës parashikon detyrimin për ekstradimin vetëm të personave të akuzuar për krime lufte, dhe jo edhe të atyre të akuzuar për shpërfillje të gjykatës.
Gjykata në Hagë e ka hedhur poshtë disa herë këtë interpretim.
Pse pikërisht tani?
Për Millosavleviqin nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, është domethënës fakti që përfshirja e radikalëve në listën e Partisë Përparimtare Serbe vjen në një kohë kur Serbia është përfshirë nga një valë e madhërimit të Ratko Mlladiqit – i dënuar për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte – para dhe gjatë funeralit të tij në Beograd në fillim të shtatorit.
“Kandidimi i Vjerica Radetës dhe aleanca e radikalëve me SNS-në nënkuptojnë se Partia Radikale Serbe është shpërblyer për gjuhën e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë të regjimit”, ka vlerësuar Millosavleviq.
Ai ka kujtuar gjithashtu se nuk dihet se në çfarë faze ndodhet një tjetër rast kundër Vojisllav Sheshelit dhe katër radikalëve, të akuzuar për shkeljen e rregullave për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve dhe të dokumenteve konfidenciale në Hagë. Mekanizmi Rezidual ia ka kaluar këtë rast Serbisë.
Sipas Millosavleviqit, në nivel simbolik, ky bashkëpunim është një tregues i përfundimit formal të rrugës evropiane të Serbisë.
“Politika e SNS-së para 15 vjetësh, të paktën në nivel deklarativ, ishte e orientuar drejt Bashkimit Evropian. Ata vazhdojnë ta përsërisin këtë edhe sot, por kjo nuk është e sinqertë, duke pasur parasysh një sërë reformash të ngecura”, ka thënë Millosavleviq.
Vuçiqeviq, megjithatë, ka kujtuar se edhe në bashkëpunimet e deritashme të SNS-së me parti të tjera ka pasur forca me orientime të ndryshme politike.
Ai ka përmendur Aleksandar Vulinin, ish-ministër dhe ish-zëvendëskryeministër me lidhje të forta politike në Moskë.
“Pjesëmarrja e Aleksandar Vulinit në atë koalicion nuk nënkuptoi ndaljen formale të negociatave me Bashkimin Evropian. Prandaj, mendoj se as në këtë fushatë nuk do të dalin me idenë se duhet ndalur procesi i negociatave me Brukselin”, ka thënë Vuçiqeviq.
Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në mars të vitit 2012, katër muaj para se Partia Përparimtare Serbe ta merrte pushtetin.
Që atëherë, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapitujt e negociatave, ndërsa dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Të djathtët edhe në lista të tjera
Kandidati i dytë në listën “E djathta autentike”, një koalicion i udhëhequr nga Partia e Re Demokratike e Serbisë është Aleksandar Paviq.
Paviq ka mohuar disa herë faktet e vërtetuara nga gjykatat se në Srebrenicë, më 1995, është kryer gjenocid ndaj popullsisë boshnjake.
Në publik njihet për kundërshtimin e integrimeve euroatlantike dhe për angazhimin e tij për bashkëpunim më të ngushtë të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Në listën “E djathta autentike” kandidon edhe historiani Bojan Dimitrijeviq.
Ai është autor i një libri për komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Dimitrijeviq e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se gjatë hulumtimeve të tij nuk ka gjetur të dhëna se Mlladiq ka urdhëruar personalisht ekzekutimet në Srebrenicë.
Dimitrijeviq ka dëshmuar gjithashtu në procesin për rehabilitimin e kryeministrit kolaboracionist, Millan Nediq, duke argumentuar se Nediq nuk ka pasur kompetenca lidhur me shfarosjen e hebrenjve.
Megjithatë, gjykata nuk e ka rehabilituar Nediqin, nën administrimin e të cilit Beogradi ishte një nga qytetet e para në Evropën e pushtuar që u shpall “Judenfrei”, “i pastruar nga hebrenjtë”.
Në mesin e kandidatëve të “Listës Studentore” është edhe Fegja Dimoviq, avokat dhe anëtar i grupit rep “Beogradski sindikat”.
Grupi trajton në këngët e tij kryesisht tema nacional-konservatore.
Dimoviq dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij kanë marrë pjesë edhe në tribuna të organizuara më 2011 nga lëvizja e ekstremit të djathtë “Dveri”. /REL



