Humolli: Nuk ka gjykatë e as vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia i sheh çlirimtarët
Studenti Donart Humolli, gjatë marshit të studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se rinia e Kosovës nuk pranon, siç është shprehur ai, gjykimin e padrejtë ndaj atyre që mundësuan lirinë e vendit.
Humolli ka theksuar se nuk ka gjykatë apo vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët, duke vënë në pah edhe rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës.
“E kuptojmë se jemi fatlumë që bëjmë pjesë ndër brezat e parë të këtij kombi që e shijoi lirinë, pa e përjetuar tmerrin e luftës. Por, po ashtu, e kuptojmë qartë se kjo liri nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Humolli është shprehur se liria e Kosovës nuk do të ishte e mundur as pa mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Por nuk do të ishte e mundur as pa mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, studentët dhe rinia e Kosovës qëndrojnë të bashkuar me besimin e patundur tek Perëndimi. Ashtu siç Perëndimi nuk e lejoi padrejtësinë në vitet ’98 dhe ’99, por u bë aleat i UÇK-së për të sjellë lirinë, ashtu besojmë se do të mbetet aleat edhe sot, duke mos lejuar asnjë padrejtësi ndaj vetë aleatit të tij, luftëtarëve të UÇK-së”, ka deklaruar Humolli.
Ai ka theksuar se rinia e Kosovës sot jeton në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik, ndërsa ka thënë se përvoja e popullit të Kosovës me shtypjen dhe padrejtësinë e bën të papranueshëm, sipas tij, një trajtim të tillë ndaj të tjerëve.
“Rinia e Kosovës sot jeton e lirë në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik. Duke respektuar e mbrojtur të gjitha minoritetet në Kosovë, një popull që ka qenë i shtypur për vite me radhë e di mirë se çfarë do të thotë ta përjetosh padrejtësinë, prandaj nuk ia dëshirojmë atë askujt. Prandaj, nuk pranojmë asnjë gjykim të padrejtë apo dënues ndaj atyre që na e mundësuan këtë liri”, ka thënë ai.
Humolli ka theksuar se mesazhi i studentëve u drejtohet edhe atyre që ndodhen në Hagë, edhe, siç është shprehur ai, gjithë botës demokratike.
“Dua t’ju drejtohem si atyre që sot ndodhen padrejtësisht në Hagë, ashtu edhe të gjithë botës demokratike: nuk ka gjykatë e as vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët tanë”, ka përfunduar Humolli. /EO



