Nevanka Tromp për dënimin e Thaçit dhe të tjerëve: Perëndimi e tradhtoi Kosovën dhe popullin e saj
Ish-hulumtuesja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, ka komentuar dënimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si është krijuar dhe funksionuar kjo gjykatë.
Trompi ka thënë se nuk e konsideron si gabim bashkëpunimin e Hashim Thaçit me Perëndimin, duke argumentuar se ai, sipas saj, kishte dëshirë të bashkëpunonte me vendet perëndimore.
“Nuk mendoj se ishte gabim i tij. Sinqerisht dëshironte të bashkëpunonte me Perëndimin, por mendoj se Perëndimi përfundimisht e tradhtoi Kosovën dhe popullin e Kosovës duke vazhduar me këtë gjykatë”, ka thënë ajo për “A2CNN”.
Sipas Trompit, Gjykata Speciale i ka shërbyer, sipas interpretimit të saj, interesave politike të Serbisë. Ajo e ka lidhur këtë me konceptin akademik “lawfare”, të cilin e ka përshkruar si përdorimin e institucioneve ligjore dhe gjykatave si mjete në një konflikt politik.
“‘Lawfare’ do të thotë përdorimi i institucioneve ligjore dhe gjykatave si mjete lufte. Dhe Serbia meqë ra fjala kurrë nuk i ka pranuar këto gjykata. Gjithmonë ka thënë se këto gjykata janë antiserbe dhe se e gjithë bota është kundër Serbisë”, ka thënë ajo.
Trompi ka argumentuar gjithashtu se qëndrimi i Serbisë ndaj institucioneve ndërkombëtare ka ndryshuar në varësi të interesave të saj. Sipas saj, Beogradi tani e pranon këtë sistem gjyqësor kur ai mund të përdoret në kuadër të përballjes politike me Kosovën.



