FFK-ja organizon për herë të parë kursin për UEFA Pro Licencë, pranohen 18 trajnerë

10 gusht 2026 | 13:41

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se për herë të parë do të organizojë në Kosovë kursin për UEFA Pro Licencë, nivelin më të lartë të licencimit të trajnerëve në kuadër të sistemit të edukimit të UEFA-s.

FFK-ja e ka cilësuar këtë si një nga arritjet më të rëndësishme në fushën e edukimit të trajnerëve, duke theksuar se e drejta për organizimin e kursit është fituar në një kohë rekord.

Sipas FFK-së, organizimi i këtij kursi në Kosovë dëshmon progresin në fushën e edukimit dhe përmbushjen e standardeve dhe kërkesave të përcaktuara nga UEFA.

Në kuadër të Programit për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve, FFK-ja ka shpallur konkurs për pranimin e kandidatëve në edicionin e parë të kursit, ku do të pranohen gjithsej 18 pjesëmarrës.

Provimi pranues

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të përfshijë një provim pranues, i cili do të mbahet nga 26 deri më 28 tetor 2026.

Vetëm kandidatët që i plotësojnë kriteret e përcaktuara për pranim dhe që kalojnë me sukses procesin e përzgjedhjes do të pranohen në kurs.

Kriteret për aplikim

Në përputhje me kërkesat e UEFA Coaching Convention, kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere.

Ata duhet të posedojnë UEFA A Licence të vlefshme dhe të kenë së paku një vit përvojë pune si trajner në nivel profesional, qoftë si trajner kryesor, ndihmës-trajner apo në një rol përkatës me ekip kombëtar.

Kandidatët duhet të ofrojnë dëshmi për përvojën e tyre si trajner, duke përfshirë klubin ose ekipin kombëtar, pozitën e mbajtur dhe nivelin e garës.

Po ashtu, kërkohet që kandidatët të jenë aktivisht të angazhuar si trajnerë dhe të kenë qasje në një ekip me të cilin mund ta realizojnë punën praktike të kërkuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit.

Në kuadër të dokumentacionit të kërkuar për aplikim janë edhe kopja e UEFA A Licencës, vërtetimi nga Policia lidhur me dosjen penale dhe certifikata mjekësore e lëshuar nga institucioni kompetent shëndetësor.

Kandidatët do të jenë përgjegjës që gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit të kenë qasje në një ekip, me qëllim të realizimit të detyrave praktike të trajnimit. Në rast të ndryshimit të angazhimit të kandidatit si trajner gjatë kursit, ai do të jetë përgjegjës për sigurimin e qasjes në një ekip të përshtatshëm për përmbushjen e kërkesave praktike të programit.

FFK-ja ka bërë të ditur se rezervon të drejtën të kërkojë dokumente ose informacione shtesë gjatë procesit të verifikimit të aplikimeve.

Kush mund të aplikojë?

Konkursi për edicionin e parë të Kursit UEFA Pro Licencë është i hapur ekskluzivisht për kandidatët që posedojnë pasaportë të Republikës së Kosovës.

Në rast se pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes mbeten vende të lira, FFK-ja rezervon të drejtën të shpallë një konkurs shtesë, i cili mund të jetë i hapur edhe për kandidatë ndërkombëtarë që i plotësojnë kriteret e kërkuara.

Një konkurs i tillë do të shpallet veçmas dhe do të përmbajë kriteret e pranimit, procedurën e aplikimit dhe afatin për aplikim.

Kalendari i kursit

Kursi UEFA Pro Licencë do të përfshijë module rezidenciale me pjesëmarrje fizike, sesione teorike dhe praktike në fushë, mësim online, detyra individuale dhe grupore, punë praktike si trajner në kuadër të klubit ose ekipit, analiza, vlerësime dhe provime.

Kalendari i planifikuar është:

Provimi pranues: 26–28 tetor 2026
Moduli prezantues: 30 nëntor–2 dhjetor 2026
Moduli 1: 1–4 shkurt 2027
Moduli 2: 5–8 prill 2027
Moduli 3: 7–10 qershor 2027
Moduli 4: 2–5 gusht 2027
Moduli 5: 4–7 tetor 2027
Moduli 6: 6–9 dhjetor 2027
Moduli 7: 7–10 shkurt 2028
Moduli 8: 3–6 prill 2028
Moduli 9: 5–8 qershor 2028

Datat i referohen moduleve me pjesëmarrje fizike në Kosovë, ndërsa procesi i edukimit do të vazhdojë edhe gjatë periudhave ndërmjet moduleve.

Pjesëmarrësit do të kenë detyra praktike me ekipet e tyre, detyra individuale dhe grupore, analiza, aktivitete të mësimit online dhe detyra të tjera të përcaktuara në kuadër të Programit për Edukimin e Trajnerëve.

Programi do të përfshijë edhe module të mësimit online përmes platformës Edubreak.

Përfundimi dhe licencimi

Kandidatët do të duhet të marrin pjesë aktivisht në të gjitha komponentët teorikë dhe praktikë të kursit dhe të jenë të përgatitur fizikisht për kërkesat e programit.

Kursi do të përfundojë me procesin përkatës të vlerësimit dhe provimeve. Trajnerët që i përmbushin me sukses të gjitha kërkesat e programit dhe kalojnë vlerësimet e përcaktuara do të pajisen me UEFA Pro Licence, në përputhje me rregulloret dhe kriteret e UEFA-s dhe FFK-së.

7 500 euro tarifa e kursit

FFK-ja ka përcaktuar se tarifa totale e pjesëmarrjes në Kursin UEFA Pro Licence është 7 500 euro për kandidat.

Trajnerët e interesuar duhet të aplikojnë online përmes ueb-faqes zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Afati i fundit për aplikim është 20 shtatori 2026.

FFK-ja ka bërë të ditur se aplikimet e pakompletuara ose ato të dorëzuara pas afatit mund të mos merren në shqyrtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një emër i njohur për përplasjet me qeverinë e Viktor…