Gazeta gjermane: Në takimin me Vuçiqin, Zelensky sakrifikoi Kosovën
Të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë diçka për herë të parë. Ai ka vizituar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Vuçiqi është një nga miqtë e presidentit rus, Vladimir Putin.
Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Pavarësisht luftës agresive ndaj Ukrainës, ajo i ka ruajtur marrëdhëniet e mira me Moskën. Përveç kësaj, ky vend i Ballkanit Perëndimor është kundërshtar i hapur i NATO-s dhe, në vend të kësaj, është vëzhgues në aleancën mbrojtëse të udhëhequr nga Rusia, OVKS.
Megjithatë, përballë sulmeve të vazhdueshme ruse, Zelensky është duke u përpjekur të gjejë mbështetje të mëtejshme.
Nga ana tjetër, Vuçiqi është duke u përpjekur t’i përmirësojë marrëdhëniet me BE-në, pasi ndodhet nën presion të brendshëm politik dhe aleati i tij në nivelin e BE-së, ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán, ka dalë nga skena, shkruan gazeta gjermane “Tageszeitung”.
Rezultati i takimit është se deri në fund të vitit pritet të finalizohet një marrëveshje për tregtinë e lirë. Të dyja palët dëshirojnë të bashkëpunojnë në sigurinë ushqimore dhe energjetike, si dhe në integrimin në BE.
Megjithatë, bashkëpunimi ushtarak nuk është në tryezë. Këtë e ka bërë të qartë Vuçiqi. Edhe për të, ky veprim është delikat, pasi Serbia është e varur nga gazi rus.
Për Kosovën, nga ana tjetër, ky takim përbën një sakrificë të madhe, pasi ajo gjithmonë e ka shprehur solidaritetin e saj me Ukrainën e sulmuar.
Beogradi nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Ndonëse Serbia ka pesë vende të BE-së në anën e saj, Komisioni Evropian e bën të qartë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një kusht thelbësor për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Edhe Ukraina e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë dhe e ka rikonfirmuar këtë gjë në mënyrë të tërthortë gjatë këtij takimi.
Në këmbim, Serbia pranon se territoret e pushtuara nga Rusia i përkasin Ukrainës.
Sipas “Tageszeitung”, me këtë qasje Ukraina bëhet për Serbinë një aleat i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm në çështjen e Kosovës. Kjo mund t’i japë Beogradit më shumë fuqi negociuese përballë Brukselit në procesin e anëtarësimit në BE, në kurriz të Prishtinës dhe pavarësisë së Kosovës.



