Kusari-Lila: S’ka alternativë tjetër pos dialogut politik
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po shkakton shqetësim te qytetarët, mërgimtarët dhe komuniteti i biznesit.
Kusari-Lila ka thënë se situata aktuale paraqet shqetësim të madh edhe për sigurinë e investimeve në Kosovë. “Moskonstituimi i Kuvendit është brengë për mërgimtarët, është brengë për qytetarët e Republikës, është brengë shumë e madhe për bizneset për sigurinë e investimeve në Kosovë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, në situatën aktuale nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut politik dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve politike.
Ajo u ka bërë thirrje drejtuesve politikë dhe partiakë që të ulen në tryezën e dialogut dhe të dakordohen për një plan konkret institucional.
“Megjithatë, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut politik, arritjes së marrëveshjes politike dhe pranimit të drejtuesve politikë e partiakë të Republikës së Kosovës se veç të ulen, të dakordohen dhe të kemi një orar e afat edhe të konstituimit të Kuvendit, të votimit të Qeverisë dhe të zgjedhjes së presidentit. Sinqerisht, ju them të drejtën, është një keqardhje që komunikimi i drejtuesve politikë, në veçanti të opozitës së deritanishme, po bëhet përmes mediave e jo përmes pranimit të pjesëmarrjes e prezencës në takim. Unë e kuptoj rëndësinë e deklaratave politike, kuptoj rëndësinë e komunikimit me elektoratin e secilit, se fatmirësisht jemi në demokraci. Secili ka votuesit e përkrahësit e orientimeve të veta politike, por interesi i shtetit është një. Kosova ka nevojë për Kuvend të konstituuar, për qeveri të votuar, për president ose presidente që është në zyrë me mandat të plotë”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se kjo situatë nuk i shkon për shtati askujt, por gjithashtu edhe prej kësaj situate nuk mund të dilet e të ketë zgjidhje pa dialog politik.
“Është me të vërtetë e pakuptimtë mosmarrëveshja ose mospranimi i ftesës për të qenë në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në detyrë, zotin Albin Kurti. Nuk ka arsyetim. Nuk mundet asnjë argument i cili, qoftë me vendimin mos me qenë në qeveri ose me qenë në opozitë, apo me vendimin se nuk po ka besim të ndërsjellë. Gjysma e elektoratit të qytetarëve me të drejtë vote ia kanë dhënë besimin grupit të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me partnerët e vet. Prandaj, edhe si e tillë, nuk mundet kërkush të mendojë për një formim të institucioneve, konstituim të organeve drejtuese të shtetit, pa Lëvizjen Vetëvendosje. Prandaj, edhe mospranimi në diskutim të mëtutjeshëm, qoftë i Partisë Demokratike apo i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka arsyetueshmëri”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se mospranimi i takimeve për konstituimin e institucioneve paraqet më shumë shkelje të besimit demokratik sesa çështje të formës së realizimit të tyre.



