Maliqi: Ukraina e ka ndihmuar Kosovën në mënyrë indirekte, reagimet histerike ndaj Zelenskyt s’na bëjnë nder
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Serbi ka thënë se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur nuk ka ndryshuar.
Maliqi ka thënë se Ukraina e ka ndihmuar Kosovën në mënyrë indirekte, duke vlerësuar se rezistenca e saj ndaj Rusisë ka ndikuar edhe në sigurinë e Evropës dhe rajonit të Ballkanit.
“Ukraina e ka ndihmuar Kosovën shumë më shumë në mënyrë indirekte duke u bërë mburojë evropiane ndaj Rusisë dhe duke ia dobësuar kësaj të fundit kapacitetin destabilizues, përfshi edhe në Ballkan. Po të mos rezistonte Ukraina siç ka bërë, sot ka shumë gjasë që edhe ne do të ishim në luftë, ose përballë një Serbie shumëfish më të rrezikshme”, ka shkruar Maliqi në “Facebook”.
Sipas tij, Evropa i detyrohet Ukrainës për qëndresën e saj ndaj Rusisë, ndërsa çështja e njohjes së Kosovës, sipas tij, duhet të trajtohet në një moment më të përshtatshëm.
“Krejt Evropa u ka borxh për këtë punë. Njohja dikur vjen në moment më të përshtatshëm”, ka deklaruar ai.
Maliqi ka vlerësuar se reagimi institucional ndaj qëndrimit të Zelenskyt është i kuptueshëm dhe i nevojshëm, por ka kritikuar reagimet që i konsideron të tepruara.
“Reagimi ndaj qëndrimit të Zelenskyt është i kuptueshëm dhe i nevojshëm, shumë i mirë nga ana institucionale, por edhe kalimi në reagime histerike e adoleshente nuk na bën nder”, ka shkruar Maliqi.



