Lushaku-Sadriu: Jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se kjo parti është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se për këtë nevojitet vullneti i të gjitha grupeve parlamentare dhe partive politike.
Lushaku-Sadriu ka deklaruar se LDK-ja nuk është aktualisht në një situatë për të dhënë qëndrim pro ose kundër një kandidati për president, ndërsa ka thënë se partia e saj është e gatshme të kontribuojë në funksionalizimin e institucioneve, raporton “Ekonomia Online”.
“Ka shumë procese të rëndësishme që priten të ndodhin, edhe puna e presidentit, por edhe ishte koordinimi për sa i përket kësaj deklarate, dhe do të jemi me vullnetin maksimal që të konkretizojmë hapat që institucionet tona të kryejnë, secila prej tyre obligimet e veta edhe që të kemi sa më parë zgjidhje për secilin problem që institucionet e Kosovës të funksionojnë. Ne edhe si parti kemi thënë që është e rëndësishme që t’i shmangim zgjedhjet, meqë kemi pasur zgjedhje, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha grupeve parlamentare, ose të gjitha partive politike. Ne të vetëm s’mundemi me i dhanë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të jepim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi “jemi për” ose “kundër” një kandidati, meqë kemi një situatë të re. Gjithsesi, jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit dhe t’i shmangim zgjedhjet, dhe për këtë po e bëjmë”, ka thënë ajo.



