Haradinaj: Deklarata e Kuvendit merr kuptim vetëm nëse votohet ligji për zhbërjen e Gjykatës Speciale
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka thënë se deklarata e Kuvendit ishte e stërvonuar dhe se, sipas tij, ajo merr kuptim vetëm nëse votohet ligji për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Haradinaj ka përmendur edhe takimet e mbrëmshme të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilat i ka cilësuar si “takime të errëta”.
Haradinaj është shprehur se kualifikimet “dënime të rënda” dhe “dënime të lehta” nuk përkojnë, sipas tij, me kërkesat e shqiptarëve, të cilët janë ngritur në këmbë me thirrjen “Jo në emrin tim”.
“Kjo deklaratë e stërvonuar, 13 ditë pas vendimit dënues, merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave miratohet në Kuvend ligji i cili e zhbën Gjykatën Speciale. Të gjitha të tjerat, përfshirë edhe takimet e errëta, janë thjesht kalkulime politike”.
“Logjika e kontestimit të lartësisë së dënimit, ‘dënim i rëndë apo dënim i lehtë’, nuk përkon me kombin shqiptar, i cili është ngritur në këmbë në të gjitha sheshet e botës, me të vetmen thirrje: JO NË EMRIN TIM”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.



